Rrihen disa të rrinj në autobus, një i mitur lufton për jetë, reagon zv/drejtori i NQP-Shkup


Sot në Saraj të Shkupit janë përleshur dy grupe të rrinjsh, me ç’rast kanë ngelur të plagosur me thikë disa prej tyre, e njëri nga ata është në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetë.

Nga MPB-ja thonë se rasti ka ndodhur rreth orës 13.30, me çka është njoftuar SPB Shkup se është prishur qetësia dhe rendi publik në autobusin me numër 56, e që me lëndime trupore ka përfunduar një 16 –vjeçar nga një mjet i prehtë dhe është dërguar menjëherë për në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” për ti ofruar ndihmë. MPB njofton se lëndime trupore kanë pësuar edhe dy persona të tjerë po ashtu të mitur të cilët janë transferuar për në spitalin e Qytetit të Shkupit “8 Shtatori”.

Në lidhje me rastin kanë reaguar edhe nga Ndërmarrja për Qarkullim Publik-Shkup.

,,I papranueshëm është përdorimi i autobusëve si arenë për matjen e forcave.
Çdo lloj i dhunës duhet të dënohet dhe fajtorët të ballafaqohen me drejtësin.
Njëherë e përgjithmonë dhuna tek autobusët duhet të përfundoj sepse ka udhëtarë të tjerë për të cilët duhet të mbahet përgjegjësi.
MPB të pastroj rastin dhe të dërgoj mesazh të qartë se është kundër çdo lloj dhune përfshirë dhunës në brendi të autobusëve”, shkruan në ,,Fejsbuk”, zv/drejtori i NQP-Shkup, Blerim Ismaili.

Autoritetet nga SPB e Shkupit po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit dhe motivit se si ka ardhur deri tek mosmarrëveshja mes të rinjëve.