Roth: Pas Prespës, Maqedonia duhet që të marrë perspektivë të qartë për në BE


Zgjidhja e kontestit për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë është shembull tipik  për tejkalimin paqësor të problemeve midis partnerëve evropianë. Kompromisi  e shtron rrugën për integrimin euroatlantik të Maqedonisë Veriore. Duhet gjithashtu edhe BE-ja të dorëzojë ftesë, shkruan  sekretari shtetëror për çështje evropiane pranë MPJ-së gjermane Mihael Roth në tekstin “Rruga e Ballkanit duhet që të  jetë drejt BE-së”, të publikuar në gazetën gjermane “Di Uelt”.

“Politikanë të guximshëm dhe të përkushtuar bënë histori  përmes  angazhimit të tyre personal. Ndërkohë edhe parlamentet në Maqedoni dhe në Greqi, kontribuuan gjithashtu,  e ratifikuan Marrëveshjen e Prespës, me të cilën zgjidhet kontesti për emrin i vjetër 27-vjeçar. Debatet në Shkup dhe në Athinë ishin kontraverse dhe plot me  nota  nacionaliste. Për  zgjidhjen e nyjes së Gordievit kryeministrat Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev kanë rrezikuar shumë nga ana politike, por edhe fituan shumë për vendet e tyre dhe për gjithë rajonin”, tha Roth.

Me Marrëveshjen e Prespës, Greqia  obligohet se nuk do ta bllokojë më tepër rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së, ndërsa të dyja palët gjithashtu pranuan hapa konkrete për  pajtim dhe bashkëpunim më të afërt.

“Që Shkupi të vazhdojë rrugën e tij të reformave, perspektiva e BE-së duhet që të bëhet e qartë dhe e dukshme për qytetarët e Maqedonisë. Një pjesë e madhe, veçanërisht brezat e rinj synojnë drejt Evropës. Një proces kredibil i  aderimit  gjithmonë i përfshin të dyja palët. BE-ja tani gjithashtu duhet që të dërgojë ftesën nga ana e saj. Për përpjekje të suksesshme nga vendet kandidate nevojitet  një përparim konkret në procesin e aderimit. Prandaj BE-ja duhet që tani të fillojë negociata të shpejta aderuese me Maqedoninë e Veriut”, shkruan sekretari shtetëror gjerman për çështje evropiane Roth.

Perspektiva e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, theksoi, paraqet gjithashtu një mundësi të madhe edhe për vetë BE-në.

“Nëse e shfrytëzojmë me mençuri, kjo është në interesin tonë strategjik. Por nëse BE-ja nuk ka sukses me Ballkanin, në këtë rajon që nga ana historike, gjeografike dhe kulturore është i afërt me ne, si do të mund të shihet si një aktor serioz global. Me zgjidhjen e kontestit për emrin Shkupi e trason rrugën e duhur për në BE dhe gjithashtu i dërgon një mesazh të qartë  rajonit – nacionalizmi dhe populizmi  të çojnë në qorrsokak”, thotë Roth.

Sipas tij, qëndrimi “po” për ndryshimin e emrit  njëkohësisht është edhe një “jo” dhe mospranim i forcave nacionaliste në Ballkan.

“Në kohën kur populizmi dhe nacionalizmi e testojnë modelin  evropian, pajtimi midis Maqedonisë dhe Greqisë është motivi i duhur për  pjesën tjetër të Evropës – bashkim në vend të ndarjes, dialog dhe kompromis në vend të nacionalzimit dhe egoizmit – kjo është ajo që të gjithë partnerët e  BE-së duhet që ta marrin si shembull”, konkludon Mihael Roth.