Roth: Do të ishte tragjike nëse do të pengohej rruga e Maqedonisë drejt BE-së


Ministri shtetëror përgjegjës për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se Maqedonia ka bërë një arritje historike dhe do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian (BE) do të pengohej, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri gjerman u prit nga shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov, të cilët pas takimit në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

“Pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk ka perspektivë konkrete për në BE dhe NATO. Tani është bërë një hap në atë drejtim. Ky është një sukses i madh, arritje historike dhe do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt BE-së do të pengohej, nëse nuk ekziston gatishmëri nga ky vend në lidhje me çështjen e BE-së, Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor. Duhet të ketë bashkëpunim konstuktiv. Qeveria mban përgjegjësi të veçantë për të gjithë këtë, por edhe opozita mban përgjegjësi”, deklaroi Roth.

Ndërkaq, ministri Dimitrov i pyetur nga gazetarët nëse për të kaluar me sukses referendumi për marrëveshjen me Greqinë do të mbështetet nga përfaqësues të institucioneve evropiane me praninë e tyre në fushatën e referendumit, u përgjigj pozitivisht, duke shtuar se kjo çështje ka më shumë implikime gjeopolitike nga zgjidhja e vetëm një çështjeje, para së gjithash për Maqedoninë dhe Greqinë, por edhe për Ballkanin dhe Evropën.

“Unë absolutisht pres dhe e di, tashmë kemi kërkesa dhe bisedime konkrete, sepse së pari jetojmë në një kohë kur nuk ka shumë suksese, së dyti bëhet fjalë për një çështje që 25 vite ishte e hapur, që ishte rrjedha e së ardhmes sonë dhe na tërhiqte fuqishëm mbrapa. Ndërsa së treti, në të gjithë mbështetjen që arriti pa mëdyshje nga Gjermania, Britania e Madhe, SHBA-të, institucionet në Bruksel, vendet në rajon, sintagma ishte ky është lajmi i mirë për të dyja vendet, është punë e madhe për Ballkanin, megjithatë kjo na bëri krenar që jemi evropianë”, tha Dimitrov.

Shefi i diplomacisë maqedonase përsëriti se Maqedonia ka një mundësi historike për integrimet euroatlantike dhe theksoi se Maqedonia nuk ka rrugë tjetër përveç anëtarësim në NATO dhe BE.

Në takim u bisedua për aktivitetet e fundit drejt realizimit të prioriteteve të jashtme politike të Maqedonisë dhe për hapat e ardhshme për zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së arritur për zgjidhjen e kontestit bilateral me Greqinë fqinje.

Marrëveshja e arritur me Greqinë parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çelje të negociatave me BE-në.