Romano Prodi do të pranojë çmimin botëror për humanizëm në Ohër


Ish-kryetari i Komisionit Evropian dhe ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, sot në Ohër do ta pranojë çmimin botëror për humanizëm për vitin 2019, transmeton Portalb.mk.

Shpërblimin do ta ndajë Akademia e Ohrit për Humanizëm, ndërsa qëllimi për ndarjen e çmimit është kontributi i tij për idenë evropiane.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dje mbajti takim me Prodin ku theksoi se ky çmim vjen në kohën e duhur, te njeriu i duhur, duke e pasur në mendje se Prodi ishte pjesë e kryesisë së Bashkimit Evropian në momentet vërtetë kritike për rajonin tonë dhe ky është kurorëzim i kontributit të tij human.

Ndërsa Prodi theksoi se Republika e Maqedonisë sërish duhet të vendoset në radhën e parë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Procesi tashmë është i filluar dhe tani vetëm duhet të vazhdojë”, theksoi Prodi dhe shtoi se do ta shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e tij në atë drejtim.