Rexhepi: Muaji i Ramazanit, muaj i dritës


“Me një kënaqësi të veçantë po ju lajmëroj se, nga dita e nesërme, për një muaj rresht do të jemi duke agjëruar, duke u lutur e kryer ibadete që e përforcojnë besimin tonë, që e shtojnë devotshmërinë, dashurinë, respektin, humanizmin tonë. Muaji i Ramazanit është muaji i dritës, është muaji i Natës së Kadrit, muaj i të vetmës rrugë të drejtë, është muaj indriçimit të mendjes e të zemrës, është muaj i përkushtimit ndaj më të dashurve tanë, ndaj fqinjëve tanë si dhe ndaj jetimëve, skamnorëve, të varfërve dhe ndaj atyre që janë në nevojë”, u shpreh Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.

Sipas Rexhepit agjërimin nuk duhet kuptuar vetëm si abstenim i përkohshëm nga kënaqësitë trupore e shpirtërore. Agjërimi është një lloj marrëveshje unanime për të përcjellë mesazhe të përbashkëta.

“Besimtarë të dashur, në këtë Muaj të Agjërimit, jemi të nderuar si të përzgjedhur për të rrezatuar vetëm dashuri, mirëkuptim, tolerancë; jemi të porositur që të mbajmë fort në dorë bajrakun e lirisë dhe të paqes. Nuk ka kacafytje, nuk ka nervozizma, nuk ka sharje e ofendime, sepse, në këtë muaj ne agjërojmë, ne jemi më pranë Zotit, plotë dashuri e respekt. Prandaj, motra e vëllezër, duke ju ftuar në agjërim, ju uroj një muaj të begatshëm me të gjitha të mirat e Zotit si dhe një agjërim të mbarë”, thuhet në urimin e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.