Republika e Maqedonisë Veriore


“Republika e Maqedonisë Veriore” është një nga propozimet e fundit për emrin në kuadër tëmarrëveshjes së arritur nga takimi i fundit në Bruksel midis ministrave të jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias, bën të ditur televizioni Telma, duke u thirrur në burime diplomatike.

Korniza e marrëveshjes është dakorduar midis dy ministrave të jashtëm dhe se parashihet një plan prej 11 pikave që do të përmbyll kontestin disavjeçar midis Athinës dhe Shkupit.

Kjo kornizë pritet të verifikohet nga dy kryeministrat Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, të cilët pritet të zhvillojnë sot një bisedë telefonike, ndërsa ditëve në vijim edhe një takim të përbashkët në Prespë, për zyrtarizimin e marrëveshjes.

Plani 11 pikësh është publikuar edhe nga mediat greke, që do të realizohet në disa faza. Pasi të marrë dritë jeshile në Kuvendin e Maqedonisë, atëherë Greqia do të informojë Brukselin se miraton hyrjen e Maqedonisë në NATO, me kushtin që të bëhen ndryshime kushtetuese.

Ftesa për NATO do të zyrtarizohet më 11 dhe 12 korrik në Samitin e Aleancës në Bruksel. Më pas do të merret edhe data për fillimin e bisedimeve me BE në Samitin e 28 dhe 29 qershorit.

Në shtator është planifikuar mbajtja e referendumit për emrin dhe miratimi në Kuvend i ndryshimeve kushtetuese. Pas finalizimit të të gjitha procedurave nga pala e Shkupit, Kuvendi i Greqisë do të ratifikojë marrëveshjen me Shkupin, por me emrin e ri kushtetues që do të ketë vendi.