Reagon lëvizja BESA e Shkupit: Pas legjimititetit të pa kontestuar, legalitetin do ta sjellë kongresi


Sot Gjykata Themelore në Shkup u deklarua se kontesti i ngritur në gjykatë për ta fituar legalitetin e Lëvizjes do të zgjidhet pas kongresit të Lëvizjes. Për këtë arsye jemi këtu që t’ia shpjegojmë opinionit se, pavarësisht se dikush sot e ngriti flamurin e fitores, ne jemi këtu që të përkujtojmë se kontesti nuk ka përfunduar.

Në të vërtetë, Gjykata nuk e ka kontestuar vendimin e shumicës, por e ka kontestuar procedurën e dorëzimit të dokumentacionit, andaj ka vendosur që vendimin përfundimtar ta marrë vetëm pasi që BESA ta kalojë kongresin.
Duke e pasur parasysh se shumica absolute e themeluesve të parë të Besës tashmë janë deklaruar se janë për shkarkimin e tashmë ish kryetarit, si dhe duke e pasur parasysh se ata – përsëri si shumicë – do të jenë edhe në Kuvendin Qendror të Lëvizjes BESA, tashmë gjithçka është e qartë: në kongres, përveç legjitimitetit, edhe legaliteti do t’i takojë shumicës absolute të Lëvizjes BESA.

Me këtë rast dëshirojmë të shpjegojmë për opinionin se BESA nuk është vulë, por është ide, është projekt politik. Ndërsa idenë e projektit të BESËS mund ta bartin vetëm ata që e kanë skicuar dhe ideuar atë. Të tjerët, që luftojnë për vula, në fund mund ta vulosin edhe turpin e tyre.

Përkundër lëndimit që na e kanë bërë disa nga ata që deri dje ishin pjesë e jona, rruga vazhdon edhe më tej. Sepse, përtej kalkulimeve politike, ne jemi në skenë për shkak të misionit historik të avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.