Reagime pas arrestimeve, “Aleanca për Shqiptarët” kërkon dënime maksimale


Blerim Ismaili

Ish deputetët ose deputetët aktual, funksionarë ose huliganë- të gjithë duhet të dalin para fytyrës së drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për veprat e bëra, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët.

Arrestimet e djeshme të më tepër funksionarëve, deputetëve dhe fytyrave të identifukuar tek video materialet nga ana e Prokurorisë Publike, jo që intrigoi opinionin, por edhe partitë politike në vend. Menjëherë pas arrestimeve i zëshëm u bë njeriu i dytë i LSDM-së, Muhamed Zekiri. Ai nëpërmjet rrjeteve sociale dërgoi mesazhin se Zoran Zaevi është njeri i fjalës dhe të gjithë ata që kanë gabuar do të përgjigjen për veprat e tyre.
“Kryeministri është njeri i fjalës. Drejtësi patjetër të ketë. Të gjithë teroristët, deri tek i fundit, do të përgjigjen”, shkroi Zekiri.

Në të njejtën vijë me partnerët e koaliciont janë edhe nga BDI. Nga partia e Ali Ahmetit kërkuan qetësimin e situatës dhe të lejohet hapësirë që drejtësia të thotë fjalën e fundit. Deputeti i BDI-së, Artan Grubi deklaroi se pikërisht sundimi i drejtësisë është parakusht për Maqedoni demokratike dhe parakusht që në mënyrë reciproke duhet të respektohet nga të gjitha palët.
“Duhet ti japim hapsirë drejtëtisë dhe fjalës së saj, pa paragjykime nga asnjë institucion. Duhet të lejojmë që procesi të rrjedh dhe e vërteta të del në sipërfaqe. Kur bëhet fjalë për marrjen e mandateve, për këtë gjë duhet të prononcohet njeriu i parë i Parlamentit si dhe Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit. Menjëherë pasi të arrijë lajmërim në adresë të Kuvendit, do të konvokohet mbledhje ku do të diskutohet për këto çështje”, deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Arrestimet e fundit sipas “Aleancës për Shqiptarët”, janë fillim i mirë për sundimin e drejtësisë. Të gjithë personat që janë implikuar në ngjarjet e 27 prillit, qoftë huliganë, ish-deputet apo deputet aktual, nga partia e Ziadin Selës kërkuan që të njejtët të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para fytyrës së drejtësisë.

“Të implikuarit në rastin e 27 Prillit, qofshin huligan, ish funksionar apo deputet aktual, të japin përgegjësi para drejtësisë dhe të dënohen me dënime maksimale, vetëm kështu mund të kthehet besimi të organet e drejtësisë, dhe në këtë mënyrë një rast i tillë nuk do të përsëritej asnjëherë më ku në mënyrë barbare u sulmua tempulli i demokracisë që është Kuvendi dhe u rrezikuan jetët e të zgjedhurve të popullit ku e pësojë më keq Lideri i ASH Ziadin Sela”, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, partia opozitare VMRO – DPMNE kërkoi liri të menjëhershme për deputetët e saj. Lideri i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevski vlerësoi që nëpërmjet këtyre hapave, LSDM po tenton të shuan lirin e shprehjes.
“Kërkojmë lirimin urgjent dhe të pakusht si dhe ndërprerjen e maltretimeve që u bëhen anëtarëve të partisë nga ana e LSDM-së,” deklaroi Gruevski i cili pak më vonë iu bashkangjit turmës së protestuesve para Gjykatës Themelore, Shkupi 1, ku dhe u morrën në pyetje personat e arrestuar.

Sipas politikologut Xhenis Sulimani, më në fund drejtësia flet me zë të lartë. Ai thotë se arrestimi i personave përgjegjës për ngjarjet e 27 prillit është në favor të asaj që qeveria e re çdoherë ka potencuar, që është “asnjëherë nuk do të lejoj të përsëritet i njejti regjim”.

“Arrestimet e fundit të disa prej protagonistëve të terrorit të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë japin shpresë se drejtësia po vjen në Maqedoni. Gjyqësori në Maqedoni, përfundimisht, duhet ta thyejë maksimën “drejtësia vonon”. Drejtësia duhet të flet si asnjëherë më parë. Njëjtë sikur është zotuar kjo qeverisje e re e sistemit “se asnjëherë nuk do të lejojë të përsëritet regjimi i mëparshëm”. E që të mos na përsëriten gabimet, qeveria e a.q. reformatore duhet ta bëjë të kundërtën e asaj që e ka bërë e kaluara. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar qëllimin e VMRO-DPMNE-së dhe nuk do ta përkrahin, edhe nëse kjo e fundit tenton për ndonjë turbulencë politike. Elektorati është vetëdijesuar. Mendimi im është që, përkundrazi, qytetarët e lirë duhet të dalin të protestojnë që arrestimet e terrorit të shkaktuar më 27 prill të vazhdojnë dhe përgjegjësit të jenë prapa grilave. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia do të fitojë në peshë në Republikën e Maqedonisë, me drejtësi dhe qytetarë syçel për padrejtësitë ndaj interesit të përgjithshëm,” deklaroi për “Gazetën e Pavarur” Xhenis Sulimani.

Përdryshe nga Prokuroria Themelore deklaruan se janë në kërkim të gjithësej 36 personave të akuzuar për veprën “terorizëm”.