Raund i ri bisedimesh, Dimitrov-Koxias në takim me Nimic në Vjenë


Takim i ri në kuadër të procesit të bisedimeve për zgjidhjen e kontestit me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, nën ndërmjetësimin e negociatorit, Methju Nimic në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme do të mbahet nesër në Vjenë, kumtuan nga MPJ.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias sonte do të takohen në Vjenë, ndërsa nesër do të kenë takim të përbashkët me Nimicin në të cilin është parashikuar të intensifikohen negociatat dhe do ta shqyrtojnë propozimin e ndërmjetësuesit.

Në të njëjtën kohë me kumtesën e MPJ-së së Maqedonisë, me kumtesë doli edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, e cila i publikoi informacionet e njëjta.

Raundin e ri të bisedimeve që nga java e kaluar e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri, i cili muajin e kaluar në Davos kishte takim të drejtpërdrejt me kolegun e tij grek Aleksis Cipras, në të cilin i shprehën pozicionet e të dyja anëve në bisedimet për emrin dhe u morën vesh për lëshime të caktuara me qëllim që t’i jepet shtytje procesit, javën e kaluar theksoi se Maqedonia bën gjithçka që të dëshmojë se nuk ka kurrfarë motivesh irredentiste.

Mes tjerash dy kryeministrat atëherë paralajmëruan se bisedimet do të ngrihen në nivel më të lartë, respektivisht në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme.

Zaev e shprehi edhe gatishmërinë e palës së Maqedonisë që të pranohet përcaktimi gjeografik, por përmendi se nuk sheh nevojë për ndryshim të Kushtetutës së vendit.

Emër i përbërë edhe për përdorim të jashtëm edhe për të brendshëm, për të cilin duhet ndryshim kushtetues dhe tërheqje e të gjitha dyshimeve për qëndrime irredentiste, është korniza që garanton mbylljen e problemit, paralajmëroi sot Cipras në takimin e grupit parlamentar të SYRIZA-s.

Negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë u ripërtërinë më 12 dhjetor të vitin e kaluar në Bruksel, kur me ndërmjetësuesin Nimic u takuan negociatorët Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis. Në raundin e fundit të bisedimeve për emrin i cili u mbajt më 17 janar në Nju-Jork ndërmjetësuesi Nimic doli me një seri sugjerimesh dhe propozimesh dhe vlerësimesh se në shesh është zgjidhje e kontesti shumëvjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Ndërmjetësuesi kah fundi i muajit të kaluar i vizitoi Athinën, më pas edhe Shkupin, ku kishte takime të ndara me krerët më të lartë të shtetit dhe politikës së Greqisë dhe Maqedonisë.