Rasti i PSP-së kundër Ahmetit, Grubi: Regjistrimi nuk ka dështuar, por është ndaluar


“Regjistrimi i popullsisë nuk ka dështuar, por në mënyrë ligjore është ndaluar”, deklaroi, Artan Grubi në konferencë për shtyp, në lidhje me hetimin e Prokurorisë Speciale kundër kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për regjistrimin e parealizuar në vitin 2011, njofton Portalb.mk.

“Në vitin 2011 unë isha anëtar i Komisionit Shtetëror për Regjistrim dhe dëshmitarë në të gjithë atë që ka ndodhur atje dhe ka pasur implementim jo-profesional të metodologjisë për regjistrimin e popullsisë, veçmas nga Enti Shtetëror për Statistika, por edhe Komisionit Regjistrues në terren edhe në nivel qendror. Regjistrimi nuk ka dështuar, por është ndaluar me vendim të Kuvendit dhe me vullnet të deputetëve të zgjedhur nga populli. Me propozim të Qeverisë, deputetët votuan ligj për ndalimin e regjistrimin, ai është procesi, ashtu ndodhi, ajo ishte bërë përpara tërë opinionit në vitin 2011”, deklaroi Grubi.

Portalb.mk, ka tentuar që të kontaktojë edhe me nënkryetarët e BDI-së, Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Sadulla Duraku, megjithatë asnjëri prej tyre nuk ishte i kapshëm për redaksinë tonë.

Sipas hetimit të PSP-së, Ahmeti dhe Gruevski e kanë keqpërdorur funksionin e tyre dhe i kanë bërë dëm shtetit për mbi 175 milionë denarë. Arsyeja për ndalimin e regjistrimit, sipas PSP-së, ka qenë politike, gjegjësisht do t’u bënte dëm të madh reputacionit të liderëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, kështu që sipas asaj që thanë nga PSP-së, për atë arsye e kanë ndaluar regjistrimin dhe të qëndrojnë në pushtet.