Rasti i Almirit, partitë shqiptare nuk duan rikualifikimi


Partitë politike shqiptare kundërshtojnë rikualifikimin eventual të rastit të Almir Aliut, nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Pas publikimit të lajmit në Alsat, nga partitë shqiptare thonë se një gjë e tillë, do të pasqyronte gjendjen e mjerueshme të organeve të drejtësisë në Maqedoni. Nga BDI-ja këmbëngulin në fajësinë e dorasit duke pasur parasysh dëshmitë siç janë video materialet ekzistuese.

Kjo tentativë është e papranueshme dhe apelojmë deri tek prokurorët që të tërhiqen nga kjo përpjekje e padrejtë dhe tek gjykatësit që mos ta pranojnë një nismë të tillë skandaloze. Pikërisht këto veprime janë kambana alarmi për gjendjen e mjerë të organeve të sundimit të ligjit dhe e bën të patjetërsueshme reformën thelbësore për të ndaluar vepra të tilla korrupsioni nga ato që duhet të janë mbrojtësit e ligjit dhe të drejtësisë. Almiri i ndjerë dhe familja e tij, bashkë me të gjithë ne, kërkojmë drejtësi për vrasjen e qëllimshme për të cilën ekzistojnë prova të cilat nuk mund ti mohon e as injoron asnjë prokuror e asnjë gjykatës – thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Aleanca për Shqiptarët thonë se mungesa e drejtësisë vihet në pah kur bëhet fjalë për rastet ku janë të përfshirë shqiptarët. Ata kërkojnë nga Qeveria që të përkushtohet në zgjidhjen e drejtë të rastit në fjalë dhe të gjithë proceseve tjera gjyqësore.

Është një dëshmi, se sa u takon shqiptarëve, nuk kanë në plan të reformohet as qeveria e as sistemi i drejtësisë. E njëjta vazhdon me paradigmën e vjetër të ndërtuar ndër vite. Lusim kryeministrin Zaev që të lejojë të frymojnë lirshëm institucionet e drejtësisë – reagojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Fjala “Reforma në drejtësi” nuk do të kishte kuptim po të rikualifikohet ngjarja monstruoze e vrasjes së Almirit katër vjeç, thonë nga Lëvizja Besa.

Thjeshtë nuk duam të besojmë se dikush do të marrë guximin për të rikualifikuar lëndën e vrasjes monstruoze të Almirit të vogël. Në rast se ndodh një rishqyrtim për të ulur dënimin e vrasësit, kjo do të ishte një goditje e madhe për sistemin e drejtësisë dhe kthim pas nga reformat e shumë pritura në sistemin gjyqësorë. Këtu do testohet edhe vullneti dhe angazhimi për një reformë të mirëfilltë të sistemit juridik në Maqedoni. Çdokush që do merr guxim të bëj një veprim për zbutjen e dënimit të vrasësit të Almirit, do duhet të mbajë edhe përgjegjësi morale edhe penale – thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.

Blloku politik maqedonas heshtë. VMRO-DPMNE nuk deshi të komentojë asgjë në lidhje me zhvillimet brenda prokurorisë dhe rikualifikimin eventual të rastit. As LSDM nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjet e Televizionit Alsat se si e komentojnë ndarjen e prokurorëve publik në baza etnike dhe se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me kualifikimin e mundshëm. Para dy ditësh Alsat mësoi se prokurorët në Prokurorinë Themelore dhe atë Republikane janë ndarë në baza etnike, duke shprehur konfrontimet e tyre të ashpra, njëra palë – ajo shqiptare, që për rastin të mbetet kualifikimi si vepër penale “vrasje”, ndërsa pala tjetër e prokurorëve maqedonas që kërkon rikualifikimin e rastit si “aksident me pasojë vdekjen”. Por, në situatën e mospajtimeve të thella, prokurorët shqiptarë sipas burimeve tona, janë mbivotuar nga prokurorët maqedonas. Nga 10 prokurorë, 4 kanë votuar “kundër” ndërsa 6 të tjerë, përfshi edhe kryeprokurorin, kanë insistuar që në seancën e radhës vepra të rikualifikohet në formën e prerë dhe në gjykim të shkoj si “aksident me pasojë vdekjen e katër vjeçarit Almir Aliu” më 25 qershor të vitit 2016 nga Boban Iliq. Mospajtime dhe shtyrje të seancave ka pasur edhe para vitit të ri, ndërsa marrja e vendimit herën e fundit ishte shtyrë deri në zgjedhjet e Prokurorit të ri republikan Lubomir Jovevski, për t’i lënë hapësirë edhe atij në shqyrtimin e rastit. Por, në takimin me prokurorin e ri, siç bëhet e ditur për Alsat, edhe Jovevski ka mbajtur anën e grupit që kërkon rikualifikimin e rastit. Prokurorët shqiptarë, siç bëhet e ditur, kanë prezantuar kundërdëshmitë e tyre përfshi edhe videon nga ku shihet qartë se si Boban Iliq ka shtypur për vdekje me veturën e tij 4-vjeçarin Almir Aliu.  / Alsat -M