Rasti i Almirit, Apeli kthen lëndën në rigjykim


Rasti i Almir Aliut kthehet nga e para. Kjo përshkak se Gjykata e Apelit e ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës, raporton SHENJA.

Siç bënë të ditur avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq vendimin e shkruar ende nuk e kanë marrë, pasi i njëjti është ende në proces të përpunimit dhe deri sa ta marrin mund të zgjas 7 deri 10 ditë. Me këtë rast për mbrojtjen poashtu mbeten të panjohura shkaqet për sjelljen e këtij vendimi.

Për të akuzuarin e vrasjes së vogëlushit Boban Iliq, gjithashtu shfuqizohet vendimi, që do të thotë se Iliq do të mbrohet në liri, por të njejtit do t’i shqiptohen masa kujdesi.

“Mund ta njoftoj opinionin se vendimi i Gjykatës së Apelit është që lënda të kthehet nga e para, pas vendimit të shkallës së parë, të gjykatës Themelore të Kumanovës, me shfuqizimin e gjithë vendimit të marrë nga ana e tyre. Ende vendimi, me aq sa jam i informuar është në proces të përpunimit dhe për këtë ende nuk e kemi marrë. Ligjërisht duhet ta marrim prej gjykatës së shkallës së parë, në këtë rast prej Gjykatës së Kumanovës”, theksoi Asmir Alispahiq, avokat i familjes Aliu.

Në seancën publike të mbajtur më 1 tetor të 2018-tës avokatët mbrojtës të familjes Aliu kërkuan rigjykim të rastit  dhe kthyerje të procedurës nga e para si dhe ndryshim të përshkrimit të gjendjes faktike.  Kurse avokati i Baban Iliqit Stevo Pavllevski pati kërkuar vendim lehtësues për klientin e tij. Në të njejtën kohë Prokurorja Publike kërkoi rritje të denimit të për të akuzuarin e parë, të tretë dhe të katërt, gjegjësisht Boban Iliqin, Abdulla Aliun dhe Sami Demirin.

Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushit 4 vjeçar nga Kumanova, jetën i mori aksidenti tragjik, i shkaktuar nga Boban Iliq, të cilit i kishte paraprirë një zënkë verbale mes familjarëve të Almirit dhe Bobanit.