Rasti “Almiri” diskutohet edhe në një Konferencë ndërkombëtare

Rasti “Almir Aliu” që po trondit Maqedoninë, do të jetë pjesë e rendit të ditës edhe në Kuvendin vjetor të Seksioneve të IGFM-së, që sot mbahet në Ulqin të Malit të Zi.
“Kërkojmë që drejtësia të funksionojë në këtë rast dhe nuk guxon të lejohet që vrasësi të shpëtojë pa dënim. Nëse dështon sistemi i drejtësisë në Maqedoni, ne si IGFM-Seksioni në Maqedoni do të bëjmë çmos që rasti të arrijë para Gjykatës evropiane të drejtësisë në Strasburg. Nëse autori i vrasjes në këtë rast nuk e merr dënimin e merituar, kjo mund të jetë një sinjal i keq për qytetarët e Maqedonisë se secili ka të drejtë ta marë drejtësinë në dorë dhe të veprojë siç dëshiron vetë”, thuhet në reagimin e Seksionit të IGFM-së në Maqedoni.
“Shtetet demokratike si Maqedonia që pretendojnë të bëhen pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, nuk guxojnë të lejojnë skandale të tilla gjyqësore, siç ishte rikualifikim i rastit të Almir Aliut prej ‘vrasjes’ në ‘aksident’ edhe pse dëshmitë tregojnë qartë se bëhet fjalë për vrasje klasike. Përgjegjësit për këtë skandal dhe skandale të ngjashme gjyqësore duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë”, thuhet në reagimin e IGFM-së-Maqedonia, që do të lexohet në Kuvendin vjetor të seksioneve të IGFM-së nga Ballkani.