Raporti i progresit, Ziberi: Raport i favorshëm, telashe dinamika e reformave


Njohësit e proceseve integruese presin që këtë vit “Raporti i Progresit për Maqedoninë”, i cili do të publikohet më 17 prill nga Komisioni Evropian, të jetë më i favorshëm për sa i përket rrugëtimit të Maqedonisë drejt drejt BE-së.

Analisti Naser Zyberi pret rekomandim pa kushtëzime i cili do të notojë të gjitha veprimet pozitive që janë regjistruar vitin e fundit.

“Ndryshimi dhe sjellja e disa ligjeve nga sfera e punëve të brendshme, jurisprudencës, disa veprime të cilat padyshim paraqesin hap përpara në marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe raportet me faktorin ndërkombëtarë ne rend të parë UE-në, relaksimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe një frymëmarrje më e lehtë në sferën mediatike flasin për një ndryshim radikal të qeverisjes në R.M që shpresoj se raport progresi do ta konstatojë dhe në mënyrë adekuate do ta vlerësoje duke i dhënë Maqedonisë një rekomandim për fillim të negociatave pa kushtëzime” – thotë analisti politik, Naser Zyberi.

Raporti do të identifikojë edhe telashet me të cilat përballet vendi në procesin integrues thotë Zyberi.

“Vërejtjet do të jenë sigurisht në dinamikën e realizimit të reformave sepse deri në këtë periudhë në fakt duhej që të jenë miratuar i gjithë pakoja e ndryshimeve në sferën e jurisprudencës që nuk ndodhi. Siç e dini nuk u aprovuan ndryshimet në ligjin për gjykatat në ligjin për këshillin republikan gjyqësorë, prokurorial e tjerë. Kjo do të jetë një nga konstatimet sigurisht të raport progresit. Mungesa e dialogut qeveri, respektivisht shumicë parlamentare opozitë që në mënyrë permanente KE ka apeluar që të ketë një interkomunikim më adekuat dhe sigurisht që vërejtja kryesore do të jetë si procesuohen dhe realizohen të gjitha veprimet që ka marrë prokuroria speciale” – u shpreh Zyberi.

Paralajmërimi i vizitës së përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini në Maqedoni përbën një indikator pozitiv që flet për një kujdes të veçantë për gjithë rajonin dhe njëkohësisht inkurajim për të vazhduar me zbatimin e reformave të nevojshme drejt integrimit evropian nënvizon Zyberi.

Shefja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian dhe eurokomisari Johanes Hahn pritet që menjëherë një ditë pas publikimit të raportit të progresit të vizitojnë Shkupin Zyrtar, me ç’rast Mogerini pritet që të mbajë fjalim edhe para deputetëve në Kuvendin Republikan.