Rangellova jep dorëheqje nga posti i kryetares së Unionit të Grave në VMRO-DPMNE


Daniella Rangellova ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetares së Unionit të Grave në VMRO-DPMNE. Dorëheqja e Rangellovës vjen pas ngjarjeve të fundit në këtë parti dhe përjashtimit të disa anëtarëve.

Rengellova përmes një postimi në Facebook, shkruan se nuk mund të jetë pjesë e udhëheqësisë e cila sipas saj, partinë e çon drejt izolimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Edhe përkundër propozimit të kryetarit Hristijan Mickoski që të vazhdoj ta udhëheq Unionin e Grave deri në fund të mandatit, unë kam marrë vendim të jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i Unionit të Grave në VMRO-DPMNE. Jap dorëheqje pasi nuk pajtohem me politikat e udhëheqësisë së partisë. Nuk mund të pranojë të jem pjesë e lojërave toksike të udhëhequra nga ambiciet që të ushqehen disa persona. Të kesh ambicie është pozitive, por të jesh i gatshëm të shkelësh njerëz të gjallë për ta kënaqur egon personale dhe dëshirën për fuqi, është e papranueshme”, shkruan Rangellova.