Rama përgëzon Zaevin për gjuhën shqipe dhe “Ohrin”


Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Edi Rama ka përgëzuar kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev për kurajon e vendosmërinë për axhendën e tij programore, e veçanërisht për mbajtjen e zotimit madhor për gjuhën shqipe.

“Dua ta përgëzoj kryeministrin Zaev për kurajon dhe vendosmërinë për axhendën e tij programore e elektorale, si dhe njehsimin e ligjit të gjuhëve në Parlament, e për mbajtjen e zotimit madhor lidhur me gjuhën shqipe. Presim që ligji të kalojë e të nisë zbatimi sa më shpejt. Kështu forcohet më shumë themeli i Maqedonisë së të ardhmes”, tha Rama.
Rama shtoi se në mbledhje u fol edhe për “Marrëveshjen e Ohrit”, shkruan Top Channel.

“Jemi të inkurajuar nga vizioni, kurajoja dhe vullneti i kryeministrit Zaev për ta çuar përpara dhe për ta mbyllur këtë kapitull me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët, për t’i dhënë fund një historie ku konfliktet na kthehen si pengesa”.

Në fund, edhe një fjalë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, si për turizmin, ashtu edhe për trashëgiminë botërore të njerëzimit.

“Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është identifikuar si një masë me rëndësi të veçantë dhe e dimë mirë se dy shtetet kanë një pasuri jo vetëm të tyren, por një pasuri që konsiderohet trashëgimi botërore e njerëzimit nga UNESCO. Këtu duhen fokusuar investimet nga të dyja anët e kufirit. Jemi optimistë sa i përket integrimit të tregut energjetik mes dy vendeve dhe rajonit. Jemi të interesuar për përmirësimin e standardeve për prurjet turistike dhe vëllimit tregtar. Në mbledhjen e dytë mes dy qeverive të kemi një pikë “one stop shop” në pikën doganore të Qafë Thanës”, tha Rama.

Ndërkohë nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se në takimin e përbashkët u identifikuan prioritetet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, e se do të fokusohen në punën për një të ardhme më të mirë për të dyja vendet tona.

“Arritëm disa marrëveshje në fushën e kulturës dhe arsimit, por një marrëveshje e rëndësishme është edhe ajo në fushën e sigurisë”, deklaroi Zaev.

Zaev falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i jep Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, teksa tha se “presim që vitin e ardhshëm të nisim negociatat”.

Takimi i radhës midis dy qeverive, siç shpalli Zaev, do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm në Strugë ose Ohër.