Qytetarët të pakënaqur me “qeverinë reformuese”


Reforma është fjala më e përdorur e Qeverisë aktuale. Por, ç’thonë qytetarët dhe si e vlerësojnë punën e qeverisë përgjatë këtyre 10 muajve jo të plota qeverisje? Qytetarët pranë mikrofonit të Lajm TV kanë qenë të ndarë rreth kësaj çështje. Disa nuk ndjejnë asnjë ndryshim nga qeveria e kaluar, disa kërkojnë kohë, derisa të tjerët presin ndryshimin e emrit që të pasojnë reformat më të mëdha.

“Si popull nuk jena të kënaqur për reformat që bëhen, sepse nuk është ne dobi të qytetarëve,por janë në dobi për ata që se si e marrin për sipër. Në aspektin që ata mendojnë vetëm për vete, ndërsa për popullin nuk mendojnë qe të përparojnë. Për këtë arsye rinia 80% po ikin jashtë, … për shkaqe ekonomike. Se kur ta kem në vendin tim ekonominë të zhvilluar atëherë do të rri në vendin tim nuk do të emigroj jashtë vendit”, deklaroi një qytetar.

Ai insiston se sa më shpejtë duhet të ndërrohet emri, që, sipas tij, me i çel sytë përndryshe, krejt të mbyllura sytë i kemi.

“Momentalisht aspak nuk ka punë. Mirëpo, shoh ngecje në politikë, nuk po shoh ndryshime. E kaluara veç na fundosi. Kjo qeveri aktuale po mundohet po nuk ka rezultat, për arsye të mos aftësisë së shtetit. Ajo tash merret me ndërrimin e emrit, ekonomia ka ngelur prapa ka stagnuar. Populli varfërohet. Megjithatë, besoj që kemi njerëz të aftë, të ri, të cilët janë munduar me ardhur në pushtët dhe kanë vizion për ardhmërinë e këtij populli. Nëse anëtarësohen në Bashkimin Evropian, shpresojmë ditë më të mira. Ende s’ka shumë ndryshime. Me thënë se ka rezultate të mira… për shqiptarët, partitë shqiptar askujt nuk i intereson, as emri as flamuri, por i intereson puna , jeta …”, tha një qytetar tjetër.

Një kalimtar rasti para mikrofonit të LAJM TV, tha: “Mundohen, por të shohim se çka do të del. Për momentin rezultate të forta nuk kemi, çka kanë problem nuk e di?!”

“Kurgjo hiç. Mendoj që ma keq, sidomos kanë nisë pensionet t’i zvogëlojnë për 100 denarë. Gjithashtu ulje të rrogave. Kështu që, ma merr mendja se më katastrofë se qeveria e parë”, vlerëson një qytetar i dëshpëruar nga qeverisja aktuale.

Qytetarët në qëndrimet e tyre kanë shprehur edhe dozë pesimizmi: “Asnjëfarë reforme për 9 muaj. Për emrin flitet, asgjë tjetër s’ka. Premtime shumë, asnjë punë nuk e bënë. Ndryshime shumë zor në këtë shtet. Nuk po shohim ndryshime. Këtu vetëm se jemi duke shkuar ditë e më keq”.

Qytetarët janë decid se emri është shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektivës në vend.

“Momentalisht, nuk shoh ndryshime por presim. Rezultate nuk ka. Borë kemi, rrugët janë papastruar. Kjo është. Emri, duhet bëhet ndërrimi i emrit, që të mundemi të shkojmë përpara, drejt Bashkimit Evropian, NATO-s. Greqia këmbëngul në ndërrimin e emrit. Greqia është një shtet i vjetër dhe mund të bëjë pengesë për hyrjen në Bashkimin Evropian. Greqia pengon, sepse në pjesën e saj ka emër Maqedoni dhe ka druajtje të mos ketë pretendime territorial në të ardhmen nga Maqedonia Greqisë. Por, kjo është vetëm fillimi ne shohim qe mundohen bëjnë reforma, mirëpo duhet kohë për atë punë. Nuk mundet brenda gjysmë viti të bëhen ndryshime radikale. Ajo varet nga ne, të nisim që të bëjmë reforma, ndryshime, nëse nuk bëjmë do të ngecim këtu ku jemi”, është shprehur një qytetar tjetër.