Qytetarët e Maqedonisë do të udhëtojnë në BeH vetëm me letërnjoftime


Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për kushtet për udhëtime të shtetasve nga të dy vendet hyn në fuqi që nesër, më 1 dhjetor, kur kalimet kufitare qytetarët nga të dy vendet do të mund t’i kalojnë vetëm me letërnjoftim.

Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e punëve të jashtme të BeH-së dhe të Maqedonisë, Igor Cërnadak dhe Nikolla Dimitrov më 12 mars të këtij viti, njoftoi MPJ-ja boshnjake.

Atëherë është dakorduar që Marrëveshja do të hyjë në fuqi 30 ditë pas pranimit të raportit të fundit me shkrim se janë plotësuar procedurat e brendshme ligjore.

Konfirmimi i fundit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së është marrë në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë më 23 tetor dhe si datë për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes është konfirmuar 1 dhjetori i vitit 2018.