Qeveria reformatore apo e luksit, a po vjen “jeta” për qytetarët e Maqedonisë?


Qeveria reformatore e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev erdhi në pushtet me moton: “Po vjen jeta!”, por, siç ndodh zakonisht, kjo nuk vjen me automatizëm. Është me rëndësi të mbahet kursi i paralajmëruar politik e qeverisës dhe kjo të mos anashkalohet, thonë analistët për Zhurnal, duke folur për punën e deritanishme të Qeverisë reformatore.

“Çdo pushtet ka magjinë e vet, për të “shprishur” substancën politike të një partie që merr qeverisjen. Edhe qeveria e Zaevit, nuk bën përjashtim. Ajo erdhi në pushtet me moton: “Po vjen jeta!”, por, siç ndodh zakonisht, kjo nuk vjen me automatizëm. Është me rëndësi të mbahet kursi i paralajmëruar politik e qeverisës dhe kjo të mos anashkalohet. Mirëpo, si duket, kjo po jetësohet vetëm në një segment, në atë të politikës së jashtme, me synimin për integrim në NATO dhe BE. Ndërkohë, janë “harruar” premtimet për një jetë më të begatë të qytetarëve, të cilët, edhe me këtë qeverisje janë duke u katandisur gjithnjë më keq në rrafshin ekonomik dhe rrugëdalje po gjejnë në ikje nga vendi”, thotë për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.

Sipas tij, një gjë e tillë s’është mirë për asnjë qeveri. Përderisa luksi dhe shpenzimet joproduktive po marrin hov, shtimi i rrogave, pensioneve dhe mirëqenia sociale e kategorive më të rrezikuara të popullatës, janë vënë në plan të dytë.

“Në këtë drejtim, qeveria Zaev ka reteruar nga premtimet e dhëna në fillim, për rroga 500 euro etj., tash po deklaron se këto synime do të realizohen deri në fund të mandatit, që shumë lehtë mund të shndërrohen në premtime të reja para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mund të mbahen në vitin 2019, bashkë me ato presidenciale”, nënvizoi Arsllani.

Nga ana tjetër, analisti Urim Saliu thekson se nën jetën e rrënuar të qytetarëve nuk ekziston fraza e përsëritshme dhe banale 3-6-9 .

“Qytetarët i kanë dhënë hapësirë qeverisë së re dhe po aq besueshmëri dhe mbështetje , sa kjo e fundit nuk guxon që bishtërojë kundrejt jo vetëm interesave të shtetit por edhe të njerëzve që përjetojnë një varfëri ekstreme.Por kundrejt premtimeve të qeverisë Zaev ne për momentin po shohim vetëm luks, vizita, takime pafund thuajse ata kanë lënë një mbretëri prapa, një jetë mrekullie, një parajsë”, theksoi për Zhurnal, Urim Saliu, analist.

Ai thotë se nuk guxon që ky fokus për emrin të harrojë premtimet elektorale për një jetë më të dinjitetshme, për paga më të larta që ishin premtim kryesorë, për një politikë më ndryshe sociale.

“Zaev duhet ta ketë parasysh se revolta sociale mund ti kthehet bumerang sepse ai është në luftë të pandërprerë me kohën. Ditët e një qeverisjeje ikin shpejt dhe nëse qytetari nuk prek atë që i është premtuar, atëherë bashkërisht tretet edhe ëndrra e një qeverie që më shumë për momentin po bën luks të tepruar kundrejt një populli që është duke e humbur betejën me ekzistencën”, potencoi Saliu. / Zhurnal