Qeveria mbështet vendimin për publikimin e dy ligjeve në „Gazetën Zyrtare“


Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbështet vendimin për publikimin e dy ligjeve në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë” me nënshkrim të Kryetarit të Kuvendit, duke pasur parasysh shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti Gjorgje Ivanov, thonë nga Qeveria e Maqedonisë.

“Ivanovi ishte i detyruar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e të dy ligjeve, dhe kur ai vendos ta shkel Kushtetutën, është e nevojshme të merren masa në përputhje me Kushtetutën që të vazhdojë të funksionojë demokracia parlamentare”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Ata theksojnë që: “Neni 75, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është i qartë, Presidenti i Shtetit është i obliguar të nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, përderisa ato miratohen për herë të dytë me shumicën e kërkuar nga shtëpia legjislative, përkatësisht Kuvendi”.

Të dy ligjet, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë dhe Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, u miratuan për herë të dytë me shumicën e kërkuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në mars të këtij viti, dhe Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës më 5 korrik, ashtu si edhe këtë vit.

Sipas tyre, bazuar në dispozitat kushtetuese, për shkak të mos moskryerjes së detyrimeve të Presidentit të Shtetit, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nuk i ngelet gjë tjetër pos të kryejë detyrimin që rrjedh nga neni 52 i Kushtetutës, sipas të cilit ligjet të cilat janë miratuar për herë të dytë me shumicën e kërkuar në shtëpinë legjislative duhet të publikohen në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, 7 ditë pas miratimit.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë rikujton që Presidenti i Shtetit nuk është organ ligjvënës dhe është thirrur të respektojë Kushtetutën në shumë raste dhe të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, gjithashtu thekson se iniciativa e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë rikthen procedurat e parashikuara për këto raste në kornizat që përcakton Kushtetuta dhe ligjet”, thuhet në kumtesë.