Qeveria greke nuk heq dorë nga ndryshimet kushtetuese


Ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë është njëra ndër detyrimet juridike që çon drejt zgjidhjes së kontestit bilateral mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kështu është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos, në pyetjen gjatë intervistës së tij në televizion grek Alfa, nëse ekziston Plan B për nënshkrimin e marrëveshjes me organizatat ndërkombëtare, pa kaluar në kuvendet e të dyja vendeve.  Ai ka thënë se asnjë çështje ndërkombëtare nuk mund të zgjidhet pa marrëveshje ndërkombëtare që përmban detyrime ndërkombëtare për të dyja palët.


“Çfarë bën kur duhesh të zgjidhish një çështje bilaterale? Dakordohesh për një tekst detyrues juridik që përshkruan detyrimet e të dyja palëve. Përkatësisht, pala greke do ta pranoj fqiun nën emrin që do të dakordohet , ndërsa fqiu do të pajtohet. Që pala greke të pranoj këtë emër dhe të ndërmerr detyrime konkrete njëra prej tyre, siç kemi thënë qartë shumë herë, duhet të jetë ndryshimi i emrit kushtetues. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë do ta ndërmerr detyrimin juridik të ndryshoj emrin kushtetues, përderisa duam të arrijmë deri te zgjidhja”, theksoi, zëdhënës i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos.

Ndërsa, zëvendëministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katragulos, tha për Tv Skaj se topi tani është tek pala maqedonase, sepse Greqia nuk nxitohet për zgjidhje.


“Në lidhje me atë se a mund të pritet zgjidhje, unë edhe më tej, siç kam qenë edhe në fillim, jam optimist i matur se ekziston dritare e mundësisë, ndërsa ekziston edhe përparim adekuat për mjaft prej çështjeve që kanë qenë të parashtruara nga fillimi. Topi në thelb është në terrenin e palës tjetër. Ne kemi interes nacional që të zgjidhet, por nuk kemi presion të veçantë. Ne nuk e presim me padurim zgjidhjen”,tha zv/ministër i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos.

Në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, ai ka shtuar se ajo është pjesë e zgjidhjes dhe pa atë nuk mund të ketë zgjidhje, ndërsa qëndrimet për këtë çështje dallojnë mes palëve. Ndërkohë, kryeministri grek, Aleksis Cipras, gjatë mbledhjes së djeshme të kabinetit të tij ka theksuar se Greqia duhet të zgjidh çështjet e hapura me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Cipras ka theksuar se duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të zgjidhur dallimet me këto dy vende, pa u tërhequr nga pozicionet e tyre dhe me ndjenjën e përgjegjësisë nacionale./shenja