Qeveria e Maqedonisë: Ivanov nuk i publikon shpenzimet zyrtare


Qeveria e Maqedonisë informoi se Presidenti Gjorge Ivanov nuk i është përgjigjur propozimit për pranimin e mjetit të llogaridhënies, duke refuzuar t’i informojë qytetarët për shpenzimet e tij zyrtare.

“Presidenti Ivanov ende nuk i është përgjigjur letrës së qeverisë me propozim që edhe zyra e kryetarit të pranojë mjetin e llogaridhënies për një qeverisje transparente, të pastër dhe të përgjegjshme. Qeveria i kërkoi Presidentit të Republikës të Maqedonisë të paraqesë për opinionin informacionin dhe të dhënat për shpenzimin e parave të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e qeverisë. Aty sqarohet se më 29 maj në letrën e dërguar nga ministri për komunikacion dhe transparencë, Robert Popovski, presidenti Ivanov njoftohet për mjetin e llogaridhënies për transparencë, ndërgjegjshmëri dhe përgjegjësi të qeverisjes.

Mjete të llogaridhënies për qeverisje të përgjegjshme u janë propozuar edhe kryetarëve të komunave, të cilët ndërkohë me vendim të Këshillit drejtues të BNJVL-së kanë marrë një rekomandim për publikimin e kostove të bartësve të zyrave publike në vep faqet e tyre zyrtare.