Qëndrime të ndryshme në bllokun shqiptar: A po e humb Zaev besimin e shqiptarëve?


“Ditëve të fundit “shteti i së drejtës së Zaevit” u gjunjëzua para një matrapazi dhe krimineli urban. Këtu nuk kemi sundim të së drejtës por kemi sundim mbi të drejtën”, vlerëson politikologu dhe gazetar Xhenur Iseni.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe formimi i kabinetit qeveritar nën dirigjimin e LSDM-së, nënkryetari aktual i kësaj partie Muhamed Zeqiri deklaroi se socialdemokratët kanë fituar deri në 70 mijë vota nga Shqiptarët, me çrast i kanë ndihmuar Zaevit të bëhet kryeministër. Pasiqë një prej përkahësve më të flaktë të protestave “laramane” dhe politikës së kryeministrit aktual, Vladimir Milqin nëpërmjet rrjeteve sociale u shpreh i dëshpëruar prej politikave të deritanishme të Zoran Zaevit u hap dhe dilema- sa shqiptarët që jetojnë në Maqedoni janë të kënaqur nga udhëheqësia e deritanishme e Zoran Zaevit dhe kabinetit të tij qeveritar? Një pjesë e analistëve shqiptarë për “Nezavisen” shprehen me qëndrime të ndara.


Gazmend Ajdini mendon se është akoma herët të vlerësohet sa vallë kryeministri Zaev ende ka ose përkrahjen e njejtë nga pala shqiptare, ashtu siç kishte përkrahjen gjatë zgjedhjeve.
“Është e pafalenderushme të parashikohet se a janë shqiptarët e kënaqur ose jo. Ajo që është e dukshme është se qeveria aktuale dhe kryeministri Zaev, ndoshta më tepër se sa që ka nevojë është i përqëndruar tek marrëdhëniet ndërkombëtare ose më saktësisht rreth çështjes së emrit, se sa në politikën e brendshme. Në këtë moment, pasiqë nuk ka hulumtime konkrete për mendimin publik, nuk mund të flasim për atë se vallë kryeministri ka votat e njejta të shqiptarëve siç i kishte në zgjedhjet e fundit”, vlerëson Ajdini.

Gazetari dhe politikologu Xhenur Iseni nga ana tjetër, mendon se shqiptarët të cilët në numër të madh u mobiliguan dhe votuan kundër regjimit të Nikolla Gruevskit, nuk fituan asgjë nga qeveria e re e Zaevit, dhe për këtë arsye sipas vlerësimit të tij, në zgjedhjet e ardhshme do të dëshmohet se kryeministri e ka humbur besimin e shqiptarëve.

“Kishim nje pushtet te cilin e karakterizuam si regjimi i Gruevskit, zaten edhe i tillë ishte. Na premtuan më shumë mireqenie shoqerore dhe u mobilizuam i madh e i vogël për ta rrënuar atë nga themelet, dhe për ta çliruar shoqerinë nga kthetrat e atyre matrapazeve të ish regjimit të Gruevskit. Por çfarë po ndodhë tani. Kryeministri Zaev dështoi apsolutisht në gjithçka, përveç në politikën e jashtme. Para disa dive “shteti i së drejtës i Kryeministrit Zaev”, u gjunëzua para një matrapazi dhe krimineli urban. Ky ishte shembulli klasik se në Maqedoni nuk kemi “sundim të ligjit” por kemi “sundim ndaj ligjit”. Ligji nuk kujdeset për të siguruar lumturinë e veçantë të një klase qytetarësht, por përpiqet të realizojë lumturinë e gjithë polisit. Shembull që ligji është selektiv është edhe rikualifikimi i lëndës për Almirin nga prokurori i që u zgjedh nga Zaevi. Kryeministri Zaev në zgjedhjet lokale u tregoi shqiptarëve se për kë duhet të votojnë gjegjësisht ndikoi te votat e shqiptarëve për të keq. Atëher nëse atëher jepte urdhëra se kinse këta apo ata kandidat janë më të mirët dhe se do të mbizotëron paqja dhe drejtësia, atëher Kryeministri Zaev i cili edhe e drejton këshillin për reforma në drejtësi, të bëjë apel deri te prokuroria që të ketë drejtësi edhe për Almirin, por kjo nuk ndodhë. E pranoj se më herët kam besuar dhe pritur shumë nga kryeministri Zaev, por tani e pranojë se nuk besoj aspak te ai. Për fund, aty ku çapaluçët dhe njerëzit e babëzitur për pasuri vetjake vinë në krye të institucioneve publike të bindur se aty mund të zhvatin sa të duan, nuk është e mundur që të kemi një qeverisje të mirë, mbasi ata luftojnë midis tyre kush e kush të marrë frenat në dorë dhe kjo luftë e brendshme bën që të humbasin ata vetë dhe gjithë shteti. Dhe kjo po ndodh në skenën politike në Maqedoni nën drejtimin e Kryeministrit Zaev. Shqiptarët janë të zhgënjyer dhe Zaev kurdoqofshin zgjedhjet e ardhëshme, nuk do të ketë mbështetjen e shqiptarëve sikurse në zgjedhjet e kaluara”, deklaroi Iseni.

Edhe qytetarët me mendime të ndara. Për portalin “Lajm TV” një pjesë e tyre u shprehën të zhgënjyer nga mënyra se si kryeministri e drejton Qeverinë, një pjesë mendojnë se është herët për vlerësim ndërsa pjesa tjetër u shpreh e kënaqur nga puna e kryeministrit.
“Si popull nuk jena të kënaqur për reformat që bëhen, sepse nuk është ne dobi të qytetarëve,por janë në dobi për ata që se si e marrin për sipër. Në aspektin që ata mendojnë vetëm për vete, ndërsa për popullin nuk mendojnë qe të përparojnë. Për këtë arsye rinia 80% po ikin jashtë, … për shkaqe ekonomike. Se kur ta kem në vendin tim ekonominë të zhvilluar atëherë do të rri në vendin tim nuk do të emigroj jashtë vendit”, deklaroi një qytetar.

“Momentalisht aspak nuk ka punë. Mirëpo, shoh ngecje në politikë, nuk po shoh ndryshime. E kaluara veç na fundosi. Kjo qeveri aktuale po mundohet po nuk ka rezultat, për arsye të mos aftësisë së shtetit. Ajo tash merret me ndërrimin e emrit, ekonomia ka ngelur prapa ka stagnuar. Populli varfërohet. Megjithatë, besoj që kemi njerëz të aftë, të ri, të cilët janë munduar me ardhur në pushtët dhe kanë vizion për ardhmërinë e këtij populli. Nëse anëtarësohen në Bashkimin Evropian, shpresojmë ditë më të mira. Ende s’ka shumë ndryshime. Me thënë se ka rezultate të mira… për shqiptarët, partitë shqiptar askujt nuk i intereson, as emri as flamuri, por i intereson puna , jeta …”, tha një qytetar tjetër.

Ka dhe qytetarë që mendojnë se ndryshimet dhe reformat duhet të fillojnë pikërisht prej vet qytetarëve dhe se Maqedonia duhet me kujdes ti udhëheq negociatat për emrin me Greqinë sepse Greqia ka forcën të vendos veto në procesin euroatlantik të Maqedonisë dhe në këtë mënyrë të dëmtojë vendin.

“Momentalisht, nuk shoh ndryshime por presim. Rezultate nuk ka. Borë kemi, rrugët janë papastruar. Kjo është. Emri, duhet bëhet ndërrimi i emrit, që të mundemi të shkojmë përpara, drejt Bashkimit Evropian, NATO-s. Greqia këmbëngul në ndërrimin e emrit. Greqia është një shtet i vjetër dhe mund të bëjë pengesë për hyrjen në Bashkimin Evropian. Greqia pengon, sepse në pjesën e saj ka emër Maqedoni dhe ka druajtje të mos ketë pretendime territorial në të ardhmen nga Maqedonia Greqisë. Por, kjo është vetëm fillimi ne shohim qe mundohen bëjnë reforma, mirëpo duhet kohë për atë punë. Nuk mundet brenda gjysmë viti të bëhen ndryshime radikale. Ajo varet nga ne, të nisim që të bëjmë reforma, ndryshime, nëse nuk bëjmë do të ngecim këtu ku jemi”, është shprehur një qytetar tjetër.

Blerim Ismaili