Pushteti siguron votat për ndryshimet kushtetuese


Pushteti i ka siguruar votat e nevojshme për fazën finale për kalimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend që parashihen me Marrëveshjen e Prespës, njofton Portalb.mk.

“Pushteti ka shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht 80 vota, pasi që ka arritur marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen BESA, me kryetar Bilall Kasami”, brifojnë burimet kuvendore për Portalb.mk.

Sipas të njëjtave burime nga shumica parlamentare, sipas të gjitha gjasave, në votimin final për ndryshimet kushtetuese është e mundshme që të ketë një apo dy deputetë më shumë se sa numri i nevojshëm 80. Në mesin e tyre që do të votojnë, mund të jetë deputeti Panço Minov nga GROM, i cili paraprakisht e ka lëshuar koalicionin e VMRO-DPMNE-në.

Megjithatë, burimet thonë se nuk do të ketë emra të rinj nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët do t’i jepnin mbështetje procesit. Nga partia paraprakisht kanë njoftuar se do ta bojkotojnë diskutimin, ndërkaq jo-zyrtarisht njoftuan dhe se do t’i përjashtojnë të gjithë ata deputetë që do të votojnë “për” amendamentet.