PSP kërkon aktgjykim për Talevskën dhe pagesë të detyrimeve të anashkaluara


Në Gjykatën Penale sot filloi gjykimi për lëndën “Tifani” në të cilën për evazion tatimor është e akuzuar gazetarja Ivona Talevska.

Para gjykatëses Sofija Laliçiq, prokurorja Elena Josifovska e prezantoi aktakuzën. Ajo kërkoi aktgjykim dhe pagesë të detyrimeve të anashkaluara.

Pas prezantimit të aktakuzës, gjykatësja Laliçiq dha pushim për shkak se përfaqësuesi i Prokurorisë Shtetërore Zoran Petkovski nuk kishte mundësi të prononcohet për vlerën e dëmeve.

Ai tha se e ka marrë aktakuzën nga PSP më 15 shkurt pas çka e ka dorëzuar deri te DAP, por, prej që atje deri në fund të javës nuk ka marrë përgjigje, për çka reagoi prokurorja, duke theksuar se kjo është sjellje tejet e papërgjegjshme dhe joserioze, me ç’rast kërkoi pushim prej gjysmë ore.

Rasti “Tifani” i referohet një vepre penale e cila ka zgjatur nga viti 2008 deri në vitin 2014, me ç’rast Taleska si menaxhere e “Smart DOOEL” dhe “Smart grup DOOEL Shkup” për tatimet 2008 – 2014 i është shmangur pagimit të taksave, ndërsa në llogaritë përfundimtare ka paraqitur të dhëna të rrejshme, duke shmangur kështu pagimin e 2.314.463 denarëve apo 37.634 eurove përmes kompanive dhe 1.040.840 denarëve apo 16.924 eurove të tatim personal.