PSP heton llogaritë bankare të zyrtarëve të VMRO-së


Prokuroria Speciale kontrollon llogaritë bankare të shumicës së ish zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së. Hetohet se sa llogari posedojnë në bankat afariste në Maqedoni. Alsat M jozyrtarisht ka mësuar se Prokuroria Speciale përveç llogarive të tyre personale, i kontrollon edhe llogaritë e anëtarëve të familjeve të tyre. Hetohet intervali kohor prej disa vitesh.

Me urdhër të Speciales, bankat përgatisin raporte për transaksionet e llogarive aktive. Kontrollohen të ardhurat, pagesat, si dhe origjina e parave të shtrira nëpër llogari. Analiza janë bërë edhe për llogari tanimë të mbyllura – sa para kanë përfunduar te këto llogari dhe për çfarë qëllimi. Jozyrtarisht, Specialja krahas llogarive të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i ka kontrolluar edhe llogaritë e të afërmve të tij. Janë hulumtuar edhe të ardhurat bankare të kushëririt të tij Sasho Mijalkov i cila gati 10 vjet ishte drejtor i policisë sekrete.

Nuk përjashtohen as anëtarët e tjerë të VMRO – DPMNE-së të cilët gjatë qeverisjes njëdekadëshe ishin pjesë e klikës partiake dhe shtetërore. Nga Prokuroria Speciale as nuk e konfirmojnë e as nuk e mohojnë informacionin. Shkurtimisht na u përgjigjën se nuk komentojnë procedura eventuale parahetimore dhe nëse kontrolli i llogarive bankare është pjesë e lëndëve tanimë të filluara. Gati dy muaj më parë, Specialja njoftoi se Gruevski posedon 35 llogari bankare, ndërsa ish-zëvendës kryeministri i Ekonomisë Vlladimir Peshevski 27.

Katica Janeva këto të dhëna i publikoi si pjesë e akuzave për rastet e “Titanik” për parregullsi zgjedhore dhe “Traketorja” për provizione të mundshme të autostradave kineze. Sipas të dhënave, Gruevski ka llogari në gjashtë banka afariste. Në 20 llogari në denarë ka rreth 10 milion denarë, ndërsa në 14 llogari të huaja zotëron mbi 42 mijë euro. Peshevski nga 27 ka 24 llogari aktive shuma e të cilave nuk u publikua. Specialja nuk ia arriti që me aktakuzë ta përfundojë rastin “Talir” përmes të cilit duhej të dihet nëse nëpër arkën e partisë së VMRO-DPMNE udhëheqja partiake eventualisht ka bërë larje të parave./Gazeta Express/