Pse na duhet Europa?


Shkruan: Xhelal NEZIRI

Në çdo shoqëri të shëndoshë, dy sfera ruhen si të shenjta: shëndetësia dhe arsimi. Kjo nga shkaku se gabimet në këto sfera kanë pasoja të rënda. Apo siç thuhet, gabimet e mjekut varrosen nën tokë por ato të profesorëve ecin mbi tokë.
Partizimi i skajshëm i këtyre sistemeve gjatë viteve të kaluara tanimë po nxjerr “rezultatet” e tmerrshme. Kur kihet parasysh fakti se shitja e notave në universitetet tona është bërë një dukuri normale dhe një burim pasurimi për profesorë që gati i gjithë opinioni i di, atëherë çështja nuk është vetëm te partizimi por edhe te kriminalizimi i arsimit të lartë.

Jo se partizimi i segmenteve tjera të sistemit nuk është i rëndësishëm, megjithatë arsimi dhe shëndetësia janë dy shtyllat bazë të një shteti apo shoqërie. Rrënimi i tyre është i barabartë me zhbërjen fizike dhe shpirtërore të po asaj shoqërie.
Andaj, raporti pozitiv i progresit për Maqedoninë që pritet ta bëjë publik Komisioni Europian (KE) dhe mundësia e nisjes së bisedimeve anëtarësuese janë një lajm i mirë dhe një ilaç për shoqërinë tonë të katandisur deri në këtë derexhe. Me kusht që Greqia të mos vë veto në Këshillin Europian, hapja e 35 kapitujve në bisedimet me Brukselin do të vë rendin e dëshiruar që nga ekologjia, bujqësia, tregëtia, tatimet, statistika, gjykata, prokuroria…e deri te dy shtyllat e shoqërisë – arsimi e shëndetësia. Do të instalojnë sistemin e dëshiruar të vlerave, ku vetëm ato që kanë dijen e aftësitë e duhura do të mund të punojnë në institucionet arsimore dhe shëndetësore, ndërkohë që ato që kanë blerë diplomat dhe notat do të duhet të kërkojnë profesione tjera me më pak përgjegjësi.

Popujt e Ballkanit nuk kanë aftësi që vetë të pastrojnë oborrin e tyre, andaj edhe janë vendet ku jetohet më keq sesa në çdo cep tjetër të Europës.
Duke u nisur nga kjo, procesi i instalimit të sistemit të mirëfilltë të vlerave në këto shtete dhe shoqëri nga ana e BE-së, do të ishte investimi më afatgjatë apo pikënisje e një zhvillimi të mirëfilltë ekonomik dhe socio-kulturor.

Është një proces i gjatë, por që do të sjellë europianizimin aq të nevojshëm të Maqedonisë, i cili nënkupton pastrimin e institucioneve nga krimbat e tranzicionit të errët.