(FOTO) Protestë para Qeverisë, kërkohet drejtësi për Almirin


Mijëra qytetarë protestuan para Qeverisë për rastin e vogëlushit Almir Aliu nga Kumanova. Ata kërkuan drejtësi nën moton “Pranverë pa Drejtësi”.

Nëna e Almirit Mixhevere Kasumi para protestuesve tha se në protestë nuk është vetëm për fëmijën e saj, por për të gjithë fëmijët që rrezikohen nga ai kriminel të cilin shteti po e len të lirë.

“Almiri im nuk do të kthehet, por të paktën, fëmijët e juaj të jetojnë të lirë. Sepse djalit tim ja ndaloi rritjen duke pambushur ende katër vjet. Almiri nuk dinte të bënte dallime etnike. Ai kishte ëndrra të shkonte në shkollë, të lozte me shokët por fatkeqësisht një kriminel me dashje ja ndaloi. Ne luftuam për gjuhën shqipe do të luftojmë edhe për padrejtësitë që i bëhen shqiptarëve sepse fëmijët tanë nuk po arrin ta gëzojnë gjuhën e tyre, duke na vrarë e kthyer në aksidente.Prokurores Kusigerska i them se unë nuk kam nevojë për keqardhjen tënde, nga ty deshta vetëm drejtësi për djalin tim por ajo më vrau për të dytën herë. Por drejtësia do të vij një ditë sepse vrasësi nuk do të jetojë asnjëherë i qetë”, ka thënë nëna e Almirit të vogël para protestuesve.

Organizatorët e protestave paralajmëruan kallëzim penal kundër Suzana Kusigersksës dhe kërkuan dorëheqje nga gjithë prokurorët republikan përfshirë edhe ato shqiptar. Gjithashtu kërkuan edhe dorëheqje të parevokueshme edhe të Kryeprokurorit Lubomir Joveski.