Protesta e opozitës, ja akset kombëtare që do të bllokohen nesër


Opozita shqiptare do të realizojë nesër “mosbindjen civile” dhe në nisje të tij do të bëjë bllokimin e arterieve kyçe të qarkullimit në mbarë vendin.

Nga ora 10 deri në orën 13 pothuajse i gjithë qarkullimi ne nivel kombëtar do të jetë i paralizuar pasi 4 akset kryesore do të bllokohen nga protestuesit.

Në deklarimet zyrtare të Partisë Demokratike thuhet se kjo forcë politike do të mbështesë qytetarët që do të protestojnë, me paralizimin e lëvizjes në nivel kombëtar.

Kryqëzimi i Milotit, kryqëzimi i Çermës në Lushnjë, kryqëzimi i Vorës ku thuhet se do të jetë edhe kryetari i PD-së Basha, si dhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan do të jenë akset rrugore që do të mbahen për rreth tre orë të bllokuara nga protestues.