Prokurorja Fatime Fetai do të nxjerrë fakte të pazbuluara deri tash për rastin Monstra


Prokurorja Fatime Fetai gjatë fjalëve hyrëse në rastin Monstra paralajmëroi prova të reja, të pazbuluara në opinion me të cilat do të zbardhet gjendja faktike në rastin Monstra.

“Nga provat dhe faktet do t’i nxjerrim përsëri nga akuza e vjetër dhe me provat e reja, Prokuroria Speciale ka bërë ndryshime në akuzë, gjithë kjo me qëllim që të vihet drejtësia”.

Fetai tha se është e obliguar ta lexojë akuzën e vjetër të Gordana Geshkvoskës, por se ka përpiluar një akuzë të re të korrigjuar. Akuza e re do të lexohet pas pak.

Fatime Fetai tha se duhet të merret parasysh akuza e vjetër në të cilën të akuzuarit akuzohen për terrorizëm.

Prokurorja Fatime Fetai kujtoi se e ka marrë këtë lëndë kur Supremja e ktheu lëndën në rigjykim.

Ognen Stavrev kumtoi se ka ndryshim në Këshillin Penal dhe edhe përkundër faktit se rasti gjykohet me Ligjin e vjetër për procedurë penale ku nuk është paraparë incizimi, Ognen Stavrev tha se megjithatë gjithë gjykimi do të incizohet. /SHENJA/