Prokuroria iu ka hyrë në gjurmë parave nga rasti “Reket”, pritet vendimi për Janevën


Фото: Б. Грданоски

Këshilli i prokurorëve publik nesër do ta sjellë vendimin për atë nëse do ta fillojë procedurën për shkarkim të prokurores speciale publike, Katica Janeva për shkak të punës joprofesionale dhe të pandërgjegjshme. Janeva për momentin ndodhet në paraburgim për lëndën “Reket” të Prokurorisë themelore publike për krim të organizuar dhe korrupsion.

Mbledhja e Këshillit dje zgjati pothuajse tetë orë, pas çka kryetari i Këshillit të prokurorëve publik, Kole Shteriev deklaroi se ai dhe anëtarët e tjerë të Këshillit arritën vetëm t’i shqyrtojnë shkresat, një numër të madh të materialeve të cilat ishin parashtruar aty lidhur me hetimin për rastin “Rreket”. Paralajmëroi se me punë do të vazhdojnë të enjten në orën 10:00 apo 10:30, kur, siç tha, pret të sillet vendimi nëse ata do ta fillojnë procedurën për shkarkimin e Katica Janevës.

Shteriev deklaroi se mbledhja e Këshillit ka zgjatur jashtëzakonisht gjatë për shkak se për herë të parë përballen me një situatë të këtillë në të cilën shefes së Prokurorisë publike i është caktuar masë paraburgimi. Nuk deshi të zbulojë nëse lidhur me këtë çështje ka mendime dhe qëndrime të kundërta mes anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publik.

Prokurorja Vilma Ruskovska dje pas takimit të Këshillit të prokurorëve publik, ku ishte disa orë dhe iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve për procedurën e shkarkimit të Janevës, deklaroi se Prokuroria e din se ku janë një pjesë e parave nga rasti “Reket”. Theksoi se ende po punohet në hetimin financiar dhe se për një pjesë të parave e dinë se ku janë, ndërkaq për pjesën tjetër po punohet ende.

Ruskovska tha se nuk e din nëse po përgatitet kërkesë që Janeva të dalë nga paraburgimi për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore dhe konfirmoi se ende po zgjatë hetimi për dokumentin me deklaratën e Kamçevit, e cila doli në opinion.

Prokurorja Ruskovska deklaroi se Bojan Jovanovski do të thirret të japë deklaratë në PTHP për rastin “Reket” kur ajo do të vlerësojë se nevojitet.

Për Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Janeva është e dyshuar se ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimin zyrtar dhe i ka mundësuar të dyshuarit Orce Kamçev të dalë nga paraburgimi dhe të marrë pasaportë të përkohshme në lëndën “Perandoria”.