Prokurori i Selanikut propozoi ekstradimin e Grujovskit dhe Boshkovskit


Të ekstradohen në Maqedoni ish-shefat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, i propozoi prokurori i Këshillit të gjykatësve, sipas agjencisë greke të lajmeve APE-MPE, në seancën e sotme në Gjykatën e Selanikut.

Gjykimi ishte ndërprerë, do të vazhdojë të premten kur do të kumtohet edhe vendimi përfundimtar. Agjencia greke e lajmeve, duke iu referuar informatave të veta, kumton se mbrojtja e Grujevskit dhe Boshkovskit ka pohuar se nuk bëhet fjalë për akuza të vërteta.

“Sipas informatave, kur u thirrën të japin dëshmi përse nuk dëshirojnë të ekstradohen në IRJM, shprehën ‘frikë për jetën e tyre’, përderisa pohonin se në vendin e tyre ‘nuk do të kenë gjykim të drejtë’. Gjithashtu i mohuan akuzat për të cilat ngarkohen dhe e karakterizuan si ‘politike’ ndjekjen e tyre”, shkruan agjencia shtetërore APE-MPE.

Javën e kaluar, në seancë, njëri nga avokatët e ish-shefave të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim kërkoi që gjykimi të jetë i mbyllur për opinionin, për shkak të mbrojtjes së personave për të cilët kërkohet ekstradimi.

Në rast se këshilli i gjykatësve të premten vendosë që Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski të ekstradohen në Maqedoni, ata, sipas ligjeve greke, do të kenë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme në Athinë.

Përveç për ekstradimin, Grujevski dhe Boshkovski kanë edhe dy procese të tjera në Greqi, të pavarura nga njëri-tjetri. Njëri është për pasaportat e falsifikuara me të cilat u kapën në aeroportin e Selanikut. Gjykimi pas tre shtyrjeve do të mbahet më 17 maj të vitit të ardhshëm. Rasti tjetër është rreth kërkesës së parashtruar për azil më 29 nëntor, proces i cili mundet plotësisht ta ngadalësojë vendimin e mundshëm pozitiv për esktradim në Maqedoni.