Pritet të dalin pamjet nga arratisja e Gruevskit

Prokuroria Publike po vazhdon ende me procedurën parahetimore për arratinë e Nikolla Gruevskit. Pa pranuar të tregojë detaje, Prokurori Publik Lubomir Joveski për TV21 tha se deri më tani kanë arritur të mbledhin disa të dhëna, por ende po i presin incizimet nga kamerat e sigurisë të pikë-kalimeve kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

“Unë pres që kjo pjesë e ndihmës juridike ndërkombëtare, përkatësisht dorëzimi i incizimeve do të bëhet sot ose nesër, sepse dy personat tanë zyrtare gjenden atje që t’i marrin këto materiale”, tha Lubomir Joveski, Prokuror publik.

Deri më tani për arratinë e Gruevskit janë dëgjuar rreth 20 dëshmitarë, ndërsa pritet që në pyetje të merren dhe 4 të tjerë. Pyetjes nëse ka indicie se ndonjë person zyrtar e ka ndihmuar ose jo Gruevskin gjatë arratisë, Joveski tha se në këtë fazë parahetimore është delikate për të folur për këtë. E deri sa nuk mbaron hetimi, Prokuroria nuk do të japë detaje.

E këto detaje po i pret edhe Qeveria, nga ku gjithashtu deklarojnë se vetëm pas raportit të prokurorisë do të shihet se kush do të mbajë përgjegjësi për arratinë e ish-kryeministrit.