Presidenti Ivanov vizitë zyrtare në Turqi, takim me Erdoganin


Presidenti i Republikës Gjorge Ivanov sot ka filluar një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Presidenti Ivanov në Ankara do të ketë një takim bilateral me presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe përfaqësuesit e kreut shtetëror turk. Gjatë vizitës, presidenti i Maqedonisë do të vendosë kurorë me lule në mauzoleumin e Kemal Ataturkut në Ankara.

Gjatë vizitës zyrtare, presidenti i Maqedonisë do të mbajë leksion para anëtarëve të Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë dhe rektorëve nga të gjitha universitetet shtetërore dhe private të Republikës së Turqisë me temë mbi “Sfidat e arsimit të lartë në mijëvjeçarin e tretë”.

Gjithashtu presidenti Ivanov do të kryej vizitë në Stamboll, ku do të mbajë fjalim në hapjen e Forumit Botëror të Biznesit, në të cilin do të ndahet Çmimi Lidership botëror me rastin e shpalljes së “Shkollës për liderë të rinj”, si projekti më i mirë social në Evropë për vitin 2017.