Presidenti Ivanov vendosi veto ndaj Ligjit për gjuhët

Presidenti Gjorge Ivanov në fjalimin e sontëm kumtoi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Në vend se në frymën e dialogut dhe bashkëjetesës të ndërtojmë shoqëri multietnike përmes ligjeve të drejta dhe të pranuara nga të gjithë ne sjellim ligj të padrejtë dhe represiv me të cilin favorizohet vetëm gjuha shqipe, prandaj, duke i pasur parasysh pikëpamjet e mia për mosharmonizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve me Kushtetutën, por edhe sugjerimet e opinionit ekspert dhe më të gjerë për kundërkushtetutshmërinë e këtij ligji, ndërkaq në bazë të nenit 75 të Kushtetutës së RM-së solla vendim që të mos e nënshkruaj dekretin për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, tha Ivanov.

Vlerësoi, mes tjerash, se me këtë ligj vendoset një paralelizëm shumë i shtrenjtë në të gjitha organet e pushtetit shtetëror që çon drejt bllokimit të tyre të plotë dhe mosfunksionimit dhe se në kushte të bllokimit ekziston rreziku, shtoi, të hapet çështja për ridefinimin kushtetues dhe rrezikimin e unitaritetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të RM-së.

Presidenti Ivanov informoi se sot i ka dërguar letër Kuvendit të RM-së me të cilën informon se nuk e nënshkruan dekretin për shpalljen e Ligjit, ndërsa në bashkëngjitje të asaj letre ishte parashtruar edhe arsyetimi i hollësishëm juridik i vendimit të tij. U bëri thirrje edhe deputetëve në Kuvend.

“U bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të RM-së që me kujdes t’i shqyrtojnë vërejtjet e mia. Pres prej tyre që me përgjegjësi të veprojnë sepse vetëm ashtu do të vijmë deri te zgjidhja gjithëpërfshirëse për avancimin e vërtetë të përdorimit të gjuhëve, pa u krijuar me atë rast ndarje”, tha presidenti Ivanov në fjalimin e sont.