Presidenti Ivanov u bë fusnotë në ligjin e publikuar për përdorimin e gjuhëve

Emri i presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov u bë fusnotë në “Gazetën Zyrtare”, pasi ai refuzoi ta nënshkruajë ligjin për përdorimin e gjuhëve, transmeton Portalb.mk.

Domethënë, pas publikimit të ligjit të gjuhëve në numrin e djeshëm në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, menjëherë më poshtë është publikuar edhe Dekreti për shpalljen e këtij ligji, por vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Në vendin që është parashikuar edhe nënshkrim i presidentit të shtetit, qëndron vetëm emri i tij dhe numri “1” si shenjë për fusnotë.

Presidenti Ivanov refuzoi ta nënshkruajë këtë ligj, ndërsa Xhaferi, i cili e dërgoi për publikim tekstin e ligjit dhe zëvendësi i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Nexhbedin Ibrahimi, shpjegojnë se presidenti i shtetit ishte i detyruar ta nënshkruajë ligjin, sepse më 14 mars 2018 për herë të dytë është miratuar me shumicën e votave të deputetëve, sipas nenit 75, paragrafi 3 nga Kushtetuta e Maqedonisë. Interesante është edhe që është nënshkruar nga zëvendëssekretari i përgjithshëm, në vend të sekretarit të përgjithshëm, Cvetanka Ivanov.

Pjesa e dytë e fusnotës shpjegon se “për shkak të mos kryerjes së obligimeve të lartpërmendura nga ana e presidentit të Republikës” dhe për shkak obligimit të nenit 52 të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit është i obliguar ta dorëzojë Ligjin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare për publikim.