“President i përbashkët”, reagon edhe Greqia


Deklarata e Ramës në Kosovë, për një president të përbashkët me Shqipërinë, ka shkaktuar bujë të madhe, e sidomos në Greqi dhe Serbi. Duket se shtetet fqinje të Shqipërisë i tremben një Shqipërie të Madhe, teksa i kanë kushtuar rëndësi kësaj deklarate të kryeministrit Rama.

Mediet greke e kanë komentuar këtë deklaratë, teksa shkruajnë:

“Fantazma e Shqipërisë së Madhe zgjohet përsëri, për t’u bërë realitet”, apo “Edi Rama ëndërron si Erdogan; kufijtë e zemrës të bëhen një ditë realitet”, këto janë frazat e përdorura në “Alpha Tv” nga gazetari i njohur Dhimos Verikios.

“Deklarata bombë e Ramës që mori përgjigje të menjëhershme nga zëdhënësja e Komisionit të BE-së për Politikën e Jashtme, për rrezikshmërinë e lartë të ndryshimit të kufijve, mbetet ëndrra shqiptare”, kështu tha gazetari Nikolas Vafiadhis në “ANT1 TV”.
Deklarata e Ramës, bërë në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës bëri bujë në mediet greke, të cilat e pasqyruan në forma të ndryshme, ndërsa theksuan edhe se ajo bie ndesh me deklaratat e Kotzias për marrëveshje miqësore, negociata drejt konsensusit për kufirin detar, si dhe për dhënien fund të retorikës shumëvjeçare mes dy vendeve.