Policia kërkon Gruevskin në shtëpinë e tij

Pasi që Gruevski nuk u paraqit në burg në afatin e paraparë me kërkesë të  Gjykatës Penale një ekip i policisë sonte shkoi në banesën e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski që ta dërgojë në burgun e Shutkës, por askush nuk e hapi derën, pas çka ata dolën në hyrjen e ndërtesës.

Për momentin nuk ka informacione se ku është Gruevski dhe a e ka gjetur policia. Nga MPB thonë se do ta njoftojnë opinionin menjëherë pasi që të kenë informacione konkrete.

Gjykata Penale sot pasdite në orën 16:30 dorëzoi deri te SPB Shkup kërkesë për dhënien e fletë arrestit kundër Gruevskit, pasi që ditët e kaluara rojtarët e gjykatës nuk arritën që t’ia dorëzojnë vendimin e Këshillit gjyqësor me të cilin refuzohet ankesa e tij në lidhje me dënimin  me burg prej dy viteve për “Tanku”.