Policia financiare: Aksioni në Luboten dedikuar kundër importit ilegal të duhanit


Drejtoria për polici financiare sot përmes komunikatës informoi se aksioni i djeshëm i zbatuar në fshatrat, Luboten, Hasanbeg, Vizbeg dhe Haraçinë është dedikuar kundër importit ilegal, prodhimit dhe tregtisë me llojin ilegal të duhanit “Virxhinia” ndërsa nuk është dedikuar kundër popullatës lokale që merret me kultivim dhe prodhim të duhanit vendor.

“Duhet të përmendim se aksioni është dedikuar kundër importit ilegal, prodhim dhe tregti me llojin e duhanit të tipit “Virxhinia”, e cila në vetvete përmban nivel enorm të lartë të katranit dhe pesticideve dhe i njëjti është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Qëllimi i aksionit nuk ka qenë që të konfiskohet duhani i prodhuar nga popullata lokale, por duhani ilegalisht i prodhuar dhe i dëmshëm për jetën e qytetarëve tanë. Informacionet fillestare flasin se mbi 90 për qind e duhanit të sekuestruar rrjedh nga importi ilegal dhe nga lloji i dëmshëm Virxhinia”, theksohet në kumtesë.

Drejtoria për polici financiare thekson se aksioni është zbatuar pas kontrolleve paraprakisht të zbatuara dhe veprimeve hetuese se një grup personash fizikë dhe juridik nga shteti importojnë nga ky lloj  ilegal i duhanit, i cili pastaj dërgohet në disa lokalitete pritet dhe paketohet në ambalazhë nga 300, 500, 800 apo 1000 gramë dhe shënohet me mbishkrim nga brende të njohura.