Plani operativ i Qeverisë, Carovska: parashihen vende të reja pune


Më shumë se 1 miliardë denarë janë paraparë për realizimin e këtij plani, që do të mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës, përkrahje për vetëpunësim dhe trajnime për kualifikime personale, që do të zbatohen përmes Agjencisë së Punësimit.

“Në programin për punësim, në kuadër të planit operativ, janë përfshirë 9511 persona, ndërsa përmes shërbimeve të Agjencisë për Punësim parashihen të punësohen më shumë se 16 mijë persona. Për atë se sa do të rritet punësimi pas implementimit të planit operativ do të mësojmë në fund të vitit 2018”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.

Sipas Carovskës, me qëllim të sigurimit të perspektivës për të rinjtë janë paraparë grande për të rinjtë në tre komuna, edhe atë në Shkup, Gostivar dhe Strumicë, si dhe grande për subvencionimin e punësimit.

“Grandet për vetëpunësim ndahen në vlerë prej 4 deri më 5 mijë euro për individ dhe deri më dhjetë mijë euro për dy persona. Këtë vit ka edhe opsion për kombinimin e masave, nëse një person kalon kualifikimet dhe trajnimet i njëjti mund të kyçet në masën për subvencionimin e punësimit”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.

Në pyetjen se pse një numër i vogël i punëtorëve të falimentuar kanë marrë dëmshpërblim, Carovska thotë se sipas Ligjit punëtorët që i plotësojnë kriteret e parapara do të marrin dëmshpërblimin e caktuar. Sipas saj, për herë të parë ky ligj përfshin edhe punëtorët e firmave private të falimentuara dhe i njëjti do të vlejë deri në shator të vitit të ardhshëm. /MRTV