Pesë gabimet e Aleancës

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Aleanca për Shqiptarët (ASH) nuk ka pritur që vitin 2018 ta fillojë si opozitë. Edhe pse u bë pjesë e qeverisë së re reformatore kah mesi i vitit të kaluar, megjithatë kjo parti nuk arriti t’i menaxhojë proceset me pjekurinë e mjaftueshme me qëllim që të mbetet pjesë e saj. Kjo pjesëmarrje është e rëndësishme jo vetëm për privilegje e punësime, por për faktin se ky vit pritet të jetë historik për Maqedoninë dhe shqiptarët që jetojnë aty.

Por, kush është fajtor për këtë trajektore të çuditshme politike?

Ajo që mund të tërhiqet si përfundim nga paraqitjet publike të zyrtarëve të kesaj partie, e sidomos të kryetarit Ziadin Sela, është se faji për këtë epilog kërkohet jashtë partisë.

Fajtor, sipas ASH-së, është kryeministri Zoran Zaev që nuk ka respektuar marrëveshjen për koalicionim, e aq më pak sakrificën e tij më 27 prill, kur u zgjodh kryetari i Parlamentit. Ali Ahmeti i BDI-së qenka fajtor pasi ka bërë komplot kundër ASH që ta largojë nga qeveria.

Mbase Sela edhe mund të kishte filluar të paraqesë pengesë në Qeveri për Zaevin dhe Ahmetin, por çdo politikan e ka të qartë se politika nuk është as xhami e as kishë. Politika është një lojë e vazhdueshme (art i së mundëshmes), ku raportet midis partnerëve apo konkurrentëve nuk njohin fajtorë por vetëm lojtarë politik. Ku ka lojë kuptohet se fitues e disa humbës, me ç’rast arsyetimet dhe viktimizimet nuk janë edhe aq me rëndësi për publikun.

Andaj, mbase edhe mund të kishte pasur një lojë që nxori jashtë qeverisë ASH-në, por kush duhet të japë përgjegjësi për këtë?

Është një temë që duhet analizuar, por këto analiza më tepër duhet t’i bëjë vetë ASH-ja.

Ajo që duket si dita janë pesë gabimet në hapa të ASH-së, për të cilat fajtorin duhet ta kërkojë në radhët e saj:

1. Kandidimi i figurave kyçe në zgjedhjet lokale, e sidomos të kryetarit të partisë. Para se të zyrtarizohet kjo kandidaturë, në emisionin Zigzag në ArtChannel që atëherë drejtohej nga Seladin Xhezairi thashë: “Do të jetë një gabim i madh nesë Sela kandidohet për kryetar komune. Një evoluim normal politik është nga poshtë lartë, pra nga pushteti lokal në atë qendror. Kështu kanë vepruar Edi Rama, Angela Merkel, Rexhep Erdogan…”.

2. Ishte gabim kandidimi i ministrit të vetëm Arben Taravari, i cili duhej të shërbente si një mundësi për ASH të tregojë kapacitetet e saja në qeverisje. Pas kandidimit, ai madje nuk dha as dorëheqjen në momentin që filloi garën për kryetar komune të Gostivarit. Para zgjedhjeve thashë poashtu se me këto kandidime të ASH dhe BESËs këto parti luajnë një poker të rrezikshëm politik- “gjithëçka ose hiq”, gjë që u tregua një gabim prej fillestari i tyre.

3. Koalicioni me Lëvizjen Besa ishte gabimi i radhës fatal. Kjo nga shkaku se me këtë koalicionin ASH u vendos në anën e kundërt të dy partnerëve më të mëdhenj në koalicionin qeverisës – LSDM dhe BDI. Aq më shumë kur përfaqësues të LSDM-së dolën me informacionet për një bashkëpunim të pashpallur midis BESËs dhe VMRO-DPMNE-së. Ishte afër logjikës së shëndoshë se një partneri të vogël qeveritar me vetëm dy deputetë nuk do t’i lejohet që të qëndrojë në qeveri, kurse njëkohësisht të ketë një koalicion me opozitën për ta rrëzuar një pjesë të qeverisë. Është çështje tjetër gabimi që koalicioni ASH-BESA u lidh në raundin e dytë, gjë që tani shihen pasojat e kësaj vonese në Gostivar ku këshilli kontrollohet nga BDI. Duke marrë parasysh të gjithë këto indikatorë, para raundit të dytë zgjedhor (në emisionin 360 gradë) thashë se me këtë koalicionin ASH do ta humbë edhe pushtetin lokal në Strugë, edhe atë qendror. Këto llogari doli se i kishte bërë gabim pikërisht ASH-ja.

4. Ikja nga përgjegjësia e kuadrove të ASH-së dukej në synimin e kësaj partie të jetë një opozitë brenda qeverisë. Reagimet emocionale të Selës në disa raste, ku akuzohej qeveria dhe partnerët e koalicionit, bënë që kjo parti të perceptohet si pengesë nga Zaevi dhe Ahmeti. Retorika e nacionalizmit destruktiv në fushatën parazgjedhore e bënin ASH-në të jetë në të njëjtin terren me VMRO-DPMNE, një parti që poashtu përdori kartën nacionaliste për mobilizimin e turmës. Për më tepër, kjo retorikë e Selës fillimisht i dha material VMRO-DPMNE-së që të mobilizojë “ushtrinë e internetit” (trolla) për ta satanizuar atë para opinionit maqedonas, e më pastaj edhe Zaevit që të mobilizojë votuesit në Strugë për ta përkrahur kundërkandidatin e tij nga BDI-ja.

5. Komunikimi i Selës me opinionin është një shembull, nga i cili çdo lider duhet të mësohet se si nuk duhet të flasë në media një politikan. Jo çdo dyshim, gjysmëinformatë apo dezinformatë duhet të thuhet në opinion, aq më pak nga lideri i partisë. Deklaratat ultranacionaliste për mediat e Tiranës, të cilat më pastaj shërbenin në Shkup për mobilizime poashtu ultranacionaliste, e bënin Selën një politikan që nuk ka sens për realitetin politik, e aq më pak atë gjeopolitik. Është kollaj që çdo politikan apo aktor tjetër në skenën politike e publike të thotë fjalë e akuza të mëdhaja, por çdo fjalë publike ka pasojat shumë konkrete. Nga një lider partie kërkohet vizion, pra aty ku dëshiron të arrijë pas 10-15 viteve, e jo funksionim sot për nesër.

Nëse kjo parti do të këmbëngul t’i kërkojë fajtorët jashtë strukturave udhëheqëse të saj, atëherë do të vazhdojë të zhytet në lloçin e politikës ku është futur vet. Nëse vazhdon të udhëhiqet nga emocionet dhe nevojat sezonale, e jo nga vizioni i qartë, atëherë do të mbahet mend në historinë më të re si “një nga partitë” e shumta shqiptare, që nuk ia doli të etablohet si duhet në skenën politike.

*Në fund të këtij shkrimi që publikohet si zakonisht të hënën, e që kësaj radhe i bie dita e parë e 2018-ës, do të doja të gjithë lexuesve të mi (atyre që pajtohen me pikëpamjet e mia, por edhe atyre që më kundërshtojnë) t’u uroj me sinqeritetin më të madh gjithë të mirat në Vitin e Ri!