Përplasje në KSHZ për referendumin, anëtari shqiptar braktis mbledhjen


Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka ndodhur përplasje mes kreut të këtij komisioni Oliver Derkovski dhe anëtarit shqiptar Enver Salihi. Mosmarrëveshjet kanë shpërthyer lidhur me planin për formimin e komisioneve zgjedhore në përfaqësitë diplomatike ku siç mësohet nuk është respektuar formula e përzgjedhjes në bazë të përfaqësimit të shqiptarëve, transmeton INA.

Ky veprim ka bërë që Salihi të braktisë mbledhjen dhe se kjo është publikuar edhe në rrjetet sociale. Salihi që është përfaqësues i Lëvizjes BESA ka akuzuarin kreun e KSHZ-së se në formë klandestine po kalon vendime, vetëm duke konsultuar përfaqësuesit maqedonas dhe jo ata shqiptarë.

Derkovski që është nga radhët e VMRO-DPMNE dje ishte protagonist edhe në bisedat e përgjuara të lëshuara në gjykatë për rastin “Titanik”, ku ai gjatë kohës si drejtor i hekurudhave kishte marrë instruksione nga ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve për përfitim të votuesve dhe keqpërdorime zgjedhore. Por Derkovski ka mohuar se ka zbatuar atëkohë ndonjë urdhër.