Përfundon fushata, nga mesnata heshtje para zgjedhjeve të së dielës

Në mesnatë  përfundon fushata njëzetditore dhe fillon heshtja para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen të dielën dhe zgjedhjeve lokale të parakohshme që do të mbahen po të dielën në komunat e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës dhe fillon heshtja zgjedhore.

Dy prej tre kandidatëve për president e përfundojnë fushatën zgjedhore me takime me qytetarët dhe tubimet ndërsa kandidati i cili përkrahet nga Aleanca e Shqiptarëve dhe “Besa”, Blerim Reka  dje me tubimin në Tetovë e përfundoi fushatën zgjedhore.

Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski  fushatën e përfundon sot në pjesën perëndimore të vendit, respektivisht do të mbajë tubim në Strugë dhe në Ohër, ndërsa gjatë ditës do të ketë takime me qytetarët e Debarcës, Vevçanit dhe të Labunishtit, ndërsa kandidatja  e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska -Davkova do të jetë në pjesën lindore të vendit, më saktë do të ketë tubim në Shtip, ndërsa paraprakisht do të mbajë tubim edhe në Probishtip.

Nesër, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e  votës mund ta realizojnë 1.640 persona  në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, shtatë persona  të shpërngulur brenda vendit, si dhe 3.583  persona të sëmurë dhe të moshuar të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore.

Personat e zhvendosur brenda vendit votojnë në strehimoret ku strehohen, të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara në shtëpitë e tyre dhe votuesit që në ditën e votimit  janë në  masën e  arrestit shtëpiak në vendin ku e vuajnë këtë masë.

Votimi edhe nesër edhe pasnesër në ditën e zgjedhjeve fillon në orën shtatë dhe do të zgjatë deri në orën 19.

Në 3.480 vendvotime në Republikë dhe në 32 jashtë vendit në zgjedhjet e gjashta presidenciale mund të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore.

1.726.795 votues janë të regjistruar në ekstraktet nga lista zgjedhore, 77.579 votues janë në punë të përkohshme ose rezident jashtë vendit, 1.640 janë duke vuajtur dënimin ose janë në paraburgim dhe shtatë zgjedhës janë të regjistruar si persona të zhvendosur brenda vendit. Në ekstraktin special të listës së zgjedhësve janë regjistruar 1,781 votues që kanë paraqitur një kërkesë në Përfaqësitë Diplomatike-Konsullore jashtë vendit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve  është caktuar  dy javë më vonë, më 5 maj.

Këto janë  zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia e tij në vitin 1991.