Zaev do të dëshmojë për sulmin e Selës në Kuvend


Siç mëson “Makfax“, për sulmin ndaj deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela më 27 prill të 2017-s në Kuvendin e Maqedonisë do të dëshmojë edhe Zoran Zaev nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe kryetar i Qeverisë së Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Propozimi që në rastin e Ziadin Selës të dëshmojë edhe Zoran Zaev ka ardhur nga avokati mbrojtës pas deklaratave të Zaevit të dhëna në publik dhe media për rastin e sulmit të 27-prillit. Zaev duhet të tregojë se çfarë ka parë atë ditë në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjykatësja që udhëheqë me rastin gjyqësor të Ziadin Selës, Sllavica Andreevska për në prill ka caktuar pesë seanca edhe atë më: 10, 16, 18, 25 dhe 27 prill.

Seanca e fundit për sulmin ndaj Ziadin Selës u mbajt më 19 mars dhe në të dëshmoi dëshmitari i cili me detaje e përshkroi rastin se si Sela është evakuuar. Ai shpjegoi se e kanë marrë nga press qendra dhe e kanë dërguar në Klubin e deputetëve, ku e ka kontrolluar infermierja e cila u ka thënë se është shumë i lënduar si dhe është e mundur të ketë gjakderdhje të madhe në tru dhe se urgjentisht duhet të thirret ndihma e shpejtë.

“Nga Ndihma e Shpejtë na thanë të gjindemi vetë disi, pastaj e maskuam atë si polic që ta nxjerrim”, ka thënë dëshmitari.

Deputeti Ziadin Sela në natën e 27 prillit, në sallën e Kuvendit është goditur me monitor, shtizë flamuri dhe me dërrasë nga dhunuesit, të cilët tani akuzohen për tentim vrasjen e tij.

Ndyshe, Sela ka deklaruar se kërkon më së paku 500 mijë euro dëmshpërblim për sulmin ndaj tij. Avokati i tij, Abedin Abduli, tha se në këtë shumë janë përfshirë harxhimet për mjekim dhe dhimbjet fizike, dëmtimet në tru, frika e shkaktuar si dhe cënimi i identitetit personal.

Ndryshe, më 27 prill bëhen një vit nga terrori i 27-prillit ku më vitin 2017 u sulmua Kuvendi i Maqedonisë nga protestuesit të “Për Maqedoni të përbashkët” si shenjë revolte për emërimin e Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Në këtë sulm të përfshirë ka pasur edhe funksionarë të lartë shtetëror dhe partiak.