Për ku nëse jo për NATO dhe BE


Robert Nesimi

Më 30 Shtator qytetarët do të dalin në votime për të vendosur nëse aprovojnë marrëveshjen me Greqinë ose jo. Normalisht gjatë një fushate të dyja palët duhet të prezantojnë argumente për pasojat e votimit “pro” ose “kundër” dhe të ofrojnë vizione se kah do të lëvizë vendi më pas. Por këtë rradhë informatat janë tejet asimetrike. Nga njëra anë dihet mirë se çfarë sjell vota “për”. Nga ana tjetër as përkrahësit më të zëshëm të kampit “kundër” nuk ofrojnë ndonjë vizion se ku do të shkojë shteti nëse fiton opcioni i tyre. Mendoj se kjo rrjedh nga fakti se nuk ka asnjë alternativë të shëndoshë të marrëveshjes me Greqinë dhe se refuzimi i saj do të zhytë vendin në ujëra të panjohura.

Argumenti pro marrëveshjes është tejet i qartë dhe dihet qysh 25 vite më parë. Problemi me emrin ka qenë pengesa kryesore për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe shkaku pse ajo tash ka mbetur pas shteteve tjera të rajonit. Me zgjidhjen e këtij problemi, siç do të bënte vota “pro”, procesi i integrimit mund të vazhdojë. Kjo eventualisht do të rezultojë me anëtarësim të plotë në të dy organizatat. Maqedonia kështu do të bëhej anëtare e dy organizatave më të fuqishme dhe më të përparuara në botë. Në vend se të mbetet shtet i skajit, ajo do të ketë vendin e vet në tavolinën kryesore, ku nëpërmjet këtyre organizatave do të bëhet pjesë e vendimmarrjes në nivel global.

Ndërsa siç mund të lexohet mes rreshtave nga kampi “kundër”, në rast refuzimi të marrëveshjes Maqedonisë i ngelen dy opcione për rolin e saj në botë. Njëri ëshë vizioni i Maqedonisë si vend neutral, ëndrra e kahmotshme e “Zvicrës së Ballkanit”. Por ky krahasim është tejet naiv. Natyrisht Zvicra nuk është e përparuar pse është neutrale dhe jashtë BE-së dhe NATO-s. Jashtë këtyre organizatave Maqedonia do të bëhet vend i skajit të kontinentit, e izoluar edhe nga fqinjët që trasojnë rrugën e tyre drejt BE dhe NATO. Në vend të Zvicrës, Maqedonia do të duket më tepër si një Bellorusi apo Moldavi, ndërsa në rastin më të keq si një Ukrainë tjetër.

Ëndrra tjetër e kampit “kundër” është ajo e një Maqedonie që sheh gjithnjë e më tepër kah Lindja, duke kërkuar alternativa tek partneritete me shtete tjera si Rusia, Turiqa ose Kina, ose më kolektivisht në grupe si BRIKS ose Këshilli i Shangajit. Por edhe kjo rrugë është naive dhe e rrezikshme për të ardhmen e shtetit. Në kolumnë të botuar para disa viteve nën titullin “Perëndimi ose BRIKS-i” argumentova se kjo nuk është alternativë për një Maqedoni të përparuar. Në veçanti ajo ka dy mangësi: së pari Lindja nuk është as përafërsisht e përparuar si Perëndimi dhe e dyta nuk ka një Lindje në plot kuptimin e fjalës.

Para disa viteve Lindja edhe mund të ishte dukur si alternativë atraktive, sepse atëbotë Perëndimi po përballej me pasojat e krizës financiare të vitit 2008 dhe krizën e borxheve. Por edhe atëherë argumentova se kjo situatë ishte vetëm e përkohshme dhe se Lindja nuk mund të ecte para derisa nuk përqafon plotësisht demokracinë dhe kapitalizmin e tregut të lirë. Tani kjo është mëse e qartë. Vendet e zhvilluara të Perëndimit kanë tejkaluar krizën; madje edhe Greqia që ishte hallka më e dobët tani arriti të përfundojë me sukses programin e ndihmës financiare. Në ndërkohë krizat ekonomike janë përhapur në pjesë tjera të botës, pikë së pari te “partnerët” tanë potencialë si Turqia e Rusia. Është e qartë se Lindja nuk është konkurente e denjë e Perëndimit dhe do të ishte çmenduri që Maqedonia të refuzojë të dytën për të parën.

Pjesa e dytë e argumentit tim ishte se nuk ka një Lindje të konsoliduar. Para nesh tash është anëtarësimi në dy institucione të vjetra, mirë të definuara, NATO dhe BE. Këta nuk kanë paralele në Lindje; alternativa e fundit e tillë ishte Pakti i Varshavës që ka tre dekada që është shuar. Ajo që sot nënkuptohet me “Lindje”, “BRIKS” ose Grupi i Shangait janë shprehje të lira që definojnë grupe shtetesh që ndonjëherë bashkëpunojnë, por njëlloj shpesh ndeshen njëri me tjetrin. Nëse refuzon NATO-n dhe BE-në Maqedonia nuk do të pritet krahëhapur në ndonjë kamp tjetër. Ajo do duhet të përballet me botën e vetmuar, duke ndërtuar raporte individuale me shtete që më shpesh nuk kanë asnjë interes ekonomik në vend.

Prandaj vendimi me të cilin përballet sot Maqedonia tejkalon çështjen e emrit dhe marrveshjes me Greqinë. Njëherë e përgjithmonë ajo duhet të vendosë nëse do të rreshtohet me Perëndimin, ose do t’a refuzojë atë për hir të alternativave tjera në Lindje. Në rastin e parë ajo zgjedh t’iu bashkangjitet dy organizatave më të fuqishme dhe më të përparuara në botë dhe brenda tyre të trasojë rrugën e vet drejt një demokracie më të shëndoshë dhe kapitalizmit të tregut të lirë. Në rastin e dytë ajo do duhet të përballet e vetmuar me botën, ose në aleanca dubioze me shtete të ndryshme autokrate të lindjes. Zgjedhja duhet të bëhet tani.