Angjushev i relaksuar për ndryshimet e paralajmëruara: Funksionet janë të përkohshme


Фото: Б. Грданоски

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Koço Angjushev sot deklaroi se të gjithë funksionarët shtetërorë duhet të jenë të vetëdijshëm se një ditë do ta lëshojnë funksionin, duke theksuar se është i relaksuar në lidhje me rekonstruimin e paralajmëruar në Qeveri.

“Është nder që të jesh anëtar i Qeverisë, por gjithashtu secili i cili ka marrë funksion shtetëror duhet të jetë i vetëdijshëm se një ditë atë funksion edhe do ta lëshojë dhe unë këtu nuk shoh tragjedi të madhe në gjithë këtë. Unë personalisht jam i relaksuar për këtë çështje dhe mendoj se kushdo që përgjigjet në këtë pyetje përveç kryeministrit është joserioze dhe nuk kam çka të përgjigjem më shumë”, deklaroi Angjushev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu, në komentin se a vlerëson se do të mbetet në pozitën e ministrit theksoi se ky është vlerësim i cili duhet së pari të dalë nga qytetarët dhe nga strukturat politike të cilat janë partner koalicioni. Do të respektohet, potencoi, secili vendim i tyre.

Sipas Fazliut, më e rëndësishmja është që të zbatohet programi qeveritar, ndërsa ndryshimet janë punë normale në shtete të zhvilluara demokratike.

“Në shtet kemi Qeveri koalicioni e cila ka për qëllim që ta zbatojë programin që ka dalë si marrëveshje mes të gjithë partnerëve të koalicionit. Qëllimi është që sa më mirë të zbatohet ai program dhe secili vendim që do të ndërmerret ose është marrë nga ana e partnerëve të koalicionit do të respektohet besoj nga ana e të gjithë ministrave sepse ne jemi në funksion që t’i zbatojmë ato programe dhe të kontribuojmë për zhvillimin e shtetit, e jo të komentojmë se kush do të përjashtohet ose jo. Këto janë punë që ndodhin gjithmonë në shtete të zhvilluara demokratike. E rëndësishme është që ne të jemi të përkushtuar përderisa jemi në atë detyrë që në mënyrë transparente dhe me nder ta kryejmë përgjegjësinë tonë”, tha Fazliu, i cili është pjesë e Qeverisë si anëtar i partisë politike RDK.

Kryeministri Zoran Zaev në fillim të muajit të ardhshëm paralajmëroi rekonstruim të Qeverisë, me të cilin, siç thotë, do të ishin përfshirë të paktën tri ministra. Rekonstruimi i kabinetit qeveritar është pjesë e procesit për ndryshime në të gjithë shoqërinë që filloi për shkak të rezultateve të rrethit të parë të zgjedhjeve të fundit presidenciale. Hapat e parë ishin ndërmarrë në kuadër të LSDM-së, ku ishin shkarkuar të gjithë 78 kryetarët e organizatave partiake komunale, me çka dje ishin ndërruar edhe sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët e partisë. Për ndryshimet në Qeveri Zaevi javën e kaluar kishte takim edhe me partnerin e koalicionit dhe liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.