Pep Guardiola tregon se si do ta përmbysin Liverpoolin


Për përmbysjen e mundshme të Juventus, besojnë pak, por jo për atë të Manchester City ndaj Liverpool, ndonëse shifrat e humbjeve të para janë të njëjta, 3-0. Trajneri i City, Pep Guardiola, u ka kërkuar lojtarëve të tregojnë se, ç’janë në gjendje të bëjnë në takimin e kthimit me “të kuqtë”, duke qenë se të mërkurën, kanë avantazh edhe faktorin fushë.

“Kushtet janë perfekte. Janë edhe 90 minuta në lojë dhe çdo gjë mund të ndodhë.” Trajneri spanjoll thotë se, për ta përmbysur rezultatin, fillimisht duhet shënuar goli i parë.

“Pastaj të mendojmë për të dytin e kështu me radhë.” Por nëse skuadra e tij pëson, ai thotë, “nuk duhet të dorëzohemi, kurrsesi!” Skuadra e Pep Guardiolas me titullin kampion gati të siguruar në Angli, kërkon përmbysjen e madhe, për të lënë gjurmë edhe në Europë.  Ai kujtoi edhe fitoren ndaj Barcelonës (3-1, sezonin e kaluar), për të cilin tha se ishte e veçantë, duke vlerësuar katalanasit si skuadra më e mirë në botë.

“Ne kemi edhe 90 minuta plus dhe me ç’kemi treguar këtë sezon, gjithçka është e mundur.” Guardiola thotë se, edhe pa Champions League, Manchester City është në rrugën e duhur për ta mbyllur sezonin me dy trofe të tjerë të rëndësishëm.