Pendarovski: Vizita e papës të jetë shkak për bashkim, pavarësisht dallimeve politike


Vizita e papës  është një shkak i mirë që të bashkohemi dhe  dallimet politike t’i lemë mënjanë, sepse ky është atdheu ynë  dhe nuk kemi rezervë. Këtu do të qëndrojmë të jetojmë përkundër të gjitha dallimeve që i kemi midis njëri-tjetrit, deklaroi presidenti i sapozgjedhur Stevo Pendarovski.

“Këto janë arsye të forta për t’u bashkuar dhe për të lënë mënjanë këto dallime politike dhe për tu angazhuar me të vërtetë për atë që është më e rëndësishme për ne, dhe ky është atdheu ynë – ne nuk kemi një rezervë, ne do të qëndrojmë këtu për të jetuar përkundër të gjitha dallimet që ne i kemi me njëri-tjetrin. Në kuptimin politik, mendoj se ne duhet të pajtohemi për gjëra të rëndësishme. Mendoj se është e rëndësishme për të gjithë ne që të jetojmë këtu në paqe dhe në mirëkuptim me me njëri-tjetrin. Shpresoj që nga sot e tutje ky do të jetë një rast për të menduar për këtë temë”, tha Pendarovski.

Në deklaratën për TV24 ai thotë se ky është një rast për bashkim, ndërsa pushteti dhe opozita të punojnë për atë që është më e rëndësishme, për shtetin edhe përkundër dallimeve politike.

Presidenti i sapozgjedhur, i cili mori pjesë në fjalimin e papa Françeskut në “Vila Vodno”  nuk ka dashur ta komentojë fjalimin e presidentit Ivanov.

“Unë nuk do të doja që këtë rast tani, këtë ngjarje të rëndësishme për Maqedoninë, ta përdor për të hyrë në politikën ditore. Mendoj se duhet të përqendrohemi tek mesazhi kryesor i papës. Mendoj se në këtë drejtim duhet të fokusohemi të gjithë dhe ta ndjekim me vëmendje fjalimin e tij”, theksoi Pendarovski.