Pendarovski: Republika e Maqedonisë së Veriut larg nga izolimi dhe më afër Evropës


Kandidati për president i shtetit nga LSDM-ja dhe Koalicioni, Stevo Pendarovski pas votimit sot deklaroi se pret ditë të qetë zgjedhore, ndërsa në fund avantazh të bindshëm.

“Pres ditë të qetë zgjedhore, në të vërtetë siç i ka hije një shteti evropian dhe demokratik. Pres jehonë të lartë, për shkak se qytetarët e dinë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje individuale, por për zgjedhje të konceptit, sipas të cilit Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojë më tej që të zhvillohet dhe të bëhet për një kohë të shkurtër pjesë e strukturave euroatlantike. Kuptohet, në fund të ditës pres që të realizojmë avantazh të bindshëm, e cila do të na japë mundësi që në rrethin e dytë zgjedhor përfundimisht ta marrim mbështetjen masive të qytetarëve për rrugën të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut e kalon në dy vitet e fundit – e ajo është më larg nga izolimi dhe më afër Evropës ku realisht bëjmë pjesë”, deklaroi Pendarovski pasi që e realizoi të drejtën e votimit në vendvotimin në Autokomandë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nga fqinjësia, Pendarovski tha se mbetet mbështetës i marrëveshjeve me Greqinë dhe me Bullgarinë sepse, tha, kjo është “korniza e vetme e mundshme evropiane që na nxjerr nga balta ballkanike drejt Evropës dhe mënyrë në të cilën zgjidhen kontestet, me të cilat ecet përpara”.