Pendarovski pret fitore bindëse në rrethin e dytë


 Pres fitore bindëse dhe të qartë në rrethin e dytë, në mënyrë që Maqedonia përfundimisht të ketë president të të gjithë qytetarëve, deklaroi sot kandidati presidencial, Stevo Pendarovski.

Pendarovski konfirmoi se pas rezultateve të marra mbrëmë pas përfundimit të rrethit të parë të votimit në zgjedhjet presidenciale, nuk ka pasur bisedime me partitë opozitare shqiptare dhe nuk do të shkohet në bisedime sepse, siç tha, nuk na nevojitet tregti politike. Lidhur me mundësinë që të kërkohen votat nga kandidati presidencial Blerim Reka, ai e përsëriti deklaratën e Rekës në të cilën cekë se votuesit e tij pas rrethit të dytë, janë personalitete me qëndrim të vet dhe siç dëshirojnë, ashtu duhet të vendosin në rrethin e dytë.

“Kam për qëllim ta promovoj konceptin tim. Në rrethin e dytë hyjnë dy koncepte diametralisht të kundërta. Njëri koncept për të cilin angazhohen është Maqedonia e integruar euroatlantike dhe brenda inkluzion i të gjitha bashkësive etnike në sistem. Në anën tjetër kemi koncept nacionalist-populist të shekullit të 19-të”, theksoi mes tjerash Pendarovski.

Qytetarët të cilët votuan për Rekën i porositi se e pret mbështetjen e tyre në rrethin e dytë.

“Prej votës së tyre varet çfarë kursi do të marrë vendi ynë pas 5 majit”, vlerësoi Pendarovski.

Sipas tij, më 5 maj nevojitet mobilizim maksimal qytetar dhe politik dhe mbështetje për konceptin që e çon këtë vend përpara, në mënyrë që të evitohen bllokada të reja në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Pendarovski shprehi bindje se do të arrihet cenzusi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Pas kërkesës së gazetarëve për të komentuar atë që në rrethin e parë me rezultatet “e humbi” Shkupin, Pendarovski potencon se sipas numrave kjo nuk është ashtu, nëse flitet për 10 komunat të cilat e përbëjnë Qytetin e Shkupit.

“Trendet në Shkup janë mjaft të ngjashme si edhe në nivel të mbarë shtetit”, tha ai.

Shumë ujë rrodhi në Vardar ndërkohë, tha mes tjerash Pendarovski i pyetur nga gazetarët për rezultatet e fituara përkatësisht votat e fituara që pothuajse janë në numër të njejtë si në vitin 2014 kur nuk pati mbështetje nga partnerët e koalicionit dhe thoshte se ka pasur regjim. Në vitin 2019 patëm ambient demokratik, e këtë e konfirmojnë edhe monitorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë dhe subjektet politike të involvuara, për dallim nga ato në vitin 2014.

“Vendimet politike që i ndërmorëm prej vitit 2016 e këtej ndikuan në rezultatin zgjedhor. Nuk jam i befasuar, anketat që u bënë gjatë periudhës së kaluar tregonin pothuajse tendenca të këtilla”, theksoi Pendarovski, duke shtuar se ndaj rezultateve ndikuan edhe vendimet dhe kompromiset, siç tha, të vështira, siç janë marrëveshjet me Greqinë dhe me Bullgarinë dhe Ligji për gjuhët.

Shprehi kënaqësi që në rrethin e parë shumica e qytetarëve votuan për Maqedoni përparimtare dhe evropiane, për bashkësi, përparim dhe të ardhme të sigurt.

“I kuptoj edhe qytetarët të cilët vendosën të mos dalin për të votuar dhe në atë mënyrë ta dërgojnë porosinë. Besoj se porosia nga ana e politikanëve është pranuar”, deklaroi sot Pendarovski.